Dy kisha të shek VIII zbulohen në Kalanë e Lezhës
Gërmimet arkeologjike që po kryhen në qafën e kalasë në Lezhë kanë sjellë zbulime të reja dhe të panjohura më parë,duke e cilësuar si të frytshëm bashkëpunimin 6-vjeçar të arkeologëve shqiptare dhe shkollës franceze të Romës. Zbulimi i fundit u takon 2 kishave, njëra prej të cilave i përket shekullit VIII, por studimi deri në detaj do të saktësojë këto zbulime, të cilat janë vlerësuar si një arritje e radhës e këtyre gërmimeve. Ndërkohë janë zbuluar edhe disa varre të shtrirë në disa shekuj, që nga periudha otomane e deri në mesjetën e hershme. Arkeologia Etleva Nallbani është shprehur se zbulimet e reja janë një ndikues në thithjen e turisteve, por, sipas saj, me gjetjet e reja tashme kemi material për të ndërtuar të parin muze për mesjetën e hershme në veriun e Shqipërisë. Sipas Etleva Nallbanit, arkeologe, “Kjo është një punë e bërë ndër vite në kalanë e Lezhës, nga ana jonë, që ka patur mjaft sukses, në promovimin e gjetjeve arkeologjike që kemi mundur të gjejmë dhe dokumentojmë një nga periudhat më të hershme të banorëve që kanë jetuar pikërisht në kalanë e Lezhës dhe përreth saj. Ndërsa janë me vlera kombëtare të gjitha sendet e gjetura. Ne do synojmë që në të ardhmen të prezantojmë këto gjetje jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, pasi është pjesë e zhvillimit të popullit shqiptar. Gërmimet në qafën e kalasë në Lezhë janë ndjekur me interes edhe nga kryetari i baskisë, Viktor Ushaj, i cili i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij grupit të arkeologëve, ndërsa ka theksuar se dhe ndërtimi i rrugës do t’i japë një tjetër vlerë kësaj zone, pasi lidh qytetin me kalanë e Lezhës dhe kjo bën që edhe numri i turistëve të shtohet vazhdimisht .