E Hënë, 2 Nëntor 2026

Transformimi i stadiumit “Selman Stërmasi”, Rama: Qendër e re urbane ku do akomodohen 18 institucione

Stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë do të kalojë një transformim të rëndësishëm në kuadër të një projekti që synon t’i japë qytetit një infrastrukturë moderne dhe të nivelit të lartë sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV. Aktualisht, po zhvillohet faza finale e Garës Ndërkombëtare për Projekt-Ide Arkitekturore, ku pesë skuadra finaliste po prezantojnë konceptet e tyre për një stadium krejtësisht të ri, që do të shndërrojë këtë zonë në një qendër të re urbane të Tiranës.

Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke e konsideruar stadiumin një bërthamë për zhvillimin e një qendre të re administrative dhe urbane. Ai gjithashtu përmendi disa projekte të tjera të lidhura, si ndërtimi i një qendre administrative që do të akomodojë 18 institucione, godinës së re të Kadastrës, dhe Bibliotekës së re Kombëtare.

“Stadiumi “Selman Stermasi” është në fakt një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane që jam i bindur, duke pasur parasysh edhe konkurrentët, do jemi në kushtet kur do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje shumë të mirë. Ashtu sikundër, dua të përmend këtu edhe disa proces të tjera të filluara, procesi për ndërtimin e qendrës së re administrative pranë stadiumit “Selman Stërmasi” që do të akomodojë 18 institucione, procesi për ndërtimin e godinës së re të Kadastrës të domosdoshme për shumë arsye që janë të lidhura me konsolidimin e gjithë procesit të punës së Kadastrës, Biblioteka e re Kombëtare, një konkurs që do të shpallet së shpejti përsa i përket zhvillimit privat në funksion të investimeve për Bibliotekën e re Kombëtare”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Rama përmendi dhe zhvillimet në sektorin e arsimit dhe sportit, duke përmendur ndërtimin e Akademisë së Futbollit, Akademisë së Manchester City në Durrës që do të kontribuojnë në zhvillimin e sporteve në Shqipëri.

“Po punohet dhe është në kantier Akademia e re e Futbollit, Akademia e Manchester City në Durrës, së shpejti do të fillojmë akademinë e Raffa Nadal po në Durrës dhe Agjencia është në diskutime me NBA për Akademinë e NBA po në Durrës ku duam të krijojmë një destinacion akademish sportive”, u shpreh ai.

Kryeministri njoftoi gjithashtu një projekt të rëndësishëm për krijimin e një sistemi të ri parkimesh në Tiranë dhe bregdet, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e sfidave të trafikut dhe parkimit në kryeqytet.

“AIC do të shpallë dhe proceset për ndërtimin e një sistemi të ri parkimesh në kryeqytet dhe në bregdet, një sistem i ri parkimesh, ku ne do të përfshijmë të gjithë arkitektët ndërkombëtarë që janë pjesë tanimë e përditshmërisë sonë dhe që janë një rrjet i jashtëzakonshëm me të cilët do të organizojmë edhe Festivalin e Arkitekturës në Tiranë, Festivalin Ndërkombëtar në fillim të qershorit, por duke folur për parkimet qëllimi është që t’i përgjigjemi një sfide të madhe të këtij zhvillimi që është nevoja për shumë më tepër parkime dhe për një sistem shumë më të pranueshëm të qarkullimit, që ndërkohë ka filluar të japë shenja vështirësie të dukshme”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›