E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparency International: Shqipëria, rrumpallë, nuk mësuam gjë për financat e partive

Share

Organizata e njohur Transparency International realizon një studim për financat e partive politike në vendet e rajonit. Në Shqipëri studimi dështon pasi nuk ka asnjë të dhënë. Studiuesit e Transparency vetëm sa shqyrtojnë se si janë ligjet e miratuara për këtë çështje, pasi për zbatimin nuk dihet asgjë. Madje edhe për ligjet jemi të fundit, sepse masa më e fortë e dënimit për shkelësit është thjesht një gjobë

Një raport i publikuar nga Transparency International, i bën thirrje Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë e Serbisë të garantojnë raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike. Sipas raportit, financimit të partive politike në pesë vendet e Europës Juglindore i mungojnë masa të forta transparence dhe  sanksionet e duhura. Transparency International bën thirrje që financat e partive poltike të verifikohen përmes një sistemi të besueshëm. Raporti u bën thirrje agjencive kontrolluese të rrisin përpjekjet për miratimin e ligjeve të reja mbi financimin e partive politike. Raportimi transparent i burimeve të të ardhurave dhe shpenzimeve nga partitë politike është në interesin e çdo vendi në rrugën e ndërtimit të një demokracie të vërtetë, thuhet në raportin e publikuar sot nga Transparency International.

Përsa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, thotë raporti, deklarimi publik i financimeve të partive politike duhet të forcohet më tej me afate kohore të qarta.

Probleme veçanërisht u shfaqën gjatë procesit të studimit në Shqipëri e në Kosovë, ku ishte jashtëzakonisht e vështirë të vlerësoje implementimin e ligjit. Nuk ka asnjë raport të partive politik për vlerësimin në Shqipëri, ku deri në maj të vitit 2011 nuk ka pasur asnjë kërkesë për partitë politike për të përllogaritur financat e tyre. Prandaj gjetjet për këto dy vende janë kryesisht të bazuara në vëzhgimet e skuadrave kërkuese dhe perceptimet e aktorëve në lojë, që ofruan informacionin e tyre. Për shkak të këtyre kufizimeve, gjetjet në Shqipëri e Kosovë fokusohen kryesisht në vlerësimin e ligjit, thuhet në raport.

Me fjalë të tjera, nuk ka hetuar kush se çfarë është bërë këtu, por thjesht çfarë ligjesh janë miratuar. Se si janë zbatuar ato, nuk e merr vesh kush. Por edhe sa i përket kuadrit ligjor, Shqipëria merr vlerësimin më të ulët në rajon, thuhet në raport. Kjo është kryesisht për shkak të faktit se dënimet e parashikuara nuk tejkalojnë gjobat financiare, thuhet në raport, që thekson po ashtu se edhe gjobat nuk janë të mëdha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›