E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Transport droge nga Tajlanda me postë, tre të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive, kanë finalizuar një tjetër operacion në kuadër të goditjes së trafikimit të lëndëve narkotike”, njofton policia.

Në kuadër të operacionit të koduar “Destinacioni 3” janë arrestuar në flagrancë shtetasit I. P., 25 vjeç, R. Z., 25 vjeç, E. K., 25 vjeç.

Sipas policisë këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›