E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera e nxehtë rriti presionin mbi urgjencat shëndetësore, Brataj: Mbi 62 mijë vizita në qendrat verore. U shtuan aksidentet dhe urgjencat

Pas një vere të ngarkuar me temperatura të larta dhe të zgjatura në kohë, Urgjenca Kombëtare solli këtë fillim shtatori në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” një bilanc të dëmeve shëndetësore, ku bie në sy rritja e numrit të vizitave ditore, më shumë se mesatarja e vitit të kaluar.

“Mbi 500 vizita në ditë, 513, 550, mesatarja që mund të thuash, nga 369 që ishte vitin e kaluar. Mesatarja e gjithë vitit është në 466 këtë vit, që do të thotë një rritje shumë domethënëse nga viti në vit”, tha drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Urgjencat janë ato tipike të verës, të lidhura “me temperaturën, një; me ushqimin, dy; me pickimet, me alergjitë, virozat e stinës dhe helmimet nga ushqimet”, tha ai.

Bilanc lufte ngjajnë edhe statistikat e aksidenteve në rrugë nga të gjitha llojet e mjeteve, si dhe atyre në punë dhe banesë.

“Numri i aksidenteve, ne e kemi rreth 15.000. Deri në këtë periudhë janë rreth 1.000 më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, nënvizoi ai.

Në çdo sezon veror, sistemi shëndetësor shqiptar vendoset nën presionin e një fluksi nevojash shëndetësore në rritje për shkak të rritjes së popullatës

“Nuk jemi 3 milionë në verë, jemi 5 milionë zakonisht, dhe po ta marrësh në harkun e vitit, kur kalojnë 12 milionë njerëz. Edhe ato që vijnë, sigurisht që kanë patologjitë e tyre, por dhe një ngarkesë shumë e madhe për vetë sistemet tona, sistemin tonë shëndetësor dhe vetë institucionet tona”, tha Brataj.

Pjesa dërrmuese e nevojave shëndetësore janë pritur nga qendrat shëndetësore verore, ku nga 62.000 të kryera në vetëm tre muaj, vetëm 2,7% janë drejtuar nëpër spitale.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›