Transportohet me helikopter drejt Spitalit të Vlorës një fëmijë i lënduar në kokë

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Në fshatin Bashaj, bashkia Selenicë, Forca Ajrore ndërhyri me helikopterin “Cougar” për të transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës një fëmijë të lënduar në kokë, pasi ambulanca nuk mundi të hynte në zonë për shkak të terrenit të vështirë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se operacioni u realizua me sukses, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), duke garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të sigurt për shpëtimin e jetës së të miturit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në mbështetje të qytetarëve në çdo situatë emergjente, duke ndërhyrë kudo ku lind nevoja.
Ministri Vengu uroi shërim të shpejtë për fëmijën dhe theksoi se strukturat e mbrojtjes janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë emergjente në të gjithë vendin.
/e.xh/a.f/r.e/