E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i Ballukut, Peleshi mbledh Këshillin e Mandateve më 28 janar

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi do të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar, në orën 12:00, në Kryesinë e Kuvendit.

Mbledhja është thirrur për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, për Belinda Ballukun.

Gjithashtu, Kuvendi njoftoi se më datë 19 janar do të nisë sesioni i ri parlamentar, ku në orën 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite miratimin e projektprogramit të punimeve të Kuvendit.

Po ashtu, më datë 19, ora 17:00 është thirrur mbledhja e Kuvendit në seancë plenare. Seanca plenare do të shënojë hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI dhe do të zhvillohet me rend dite procedurial, i cili përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme si dhe njoftime, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Ndërkaq, në datën 20 janar, ora 11:00, është thirrur mbledhja e Byrosë së Kuvendit, me rend dite që përfshin shqyrtimin e çështjeve me natyrë procedurale dhe organizative.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›