Trashëgimia Kulturore i paraprin turizmit
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, prezantoi në një konferencë për shtyp përparësitë dhe sfidat në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Turizmit Artit dhe Kulturës
Reforma e institucioneve të trashëgimisë kulturore, një ligj i ri “Për Artin dhe Kulturën”, janë konsideruar si arritjet e vitit që kaloi nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj. “Janë realizuar ndërhyrje madhore për rehabilitimin dhe restaurimin e qendrave historike, monumenteve të kulturës dhe objekteve të kultit në të gjithë Shqipërinë” - u shpreh ministri në analizën vjetore të punës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
E në vazhdimësi të vëmendjes që i është kushtuar trashëgimisë kulturore edhe këtë vit MTKRS-ja premton mbështetje financiare për një sërë projektesh në fushën e trashëgimisë, kulturës dhe artit, që, sipas tij, kanë një ndikim direkt edhe te turizmi.
Sipas tij, një nga pikat kryesore përsa i përket turizmit mbetet padyshim ligji i ri, i cili aktualisht është në fazën e grupeve të interesit dhe që shumë shpejt do t’i nënshtrohet procedurave ligjore për miratim në Parlament. “MTKRS, për turizmin kulturor është e vendosur të përmirësojë ndjeshëm prezantimin e monumenteve të kulturës, qendrave arkeologjike dhe muzeve të saj, me qëllim krijimin e një rrjeti prej rreth 20 destinacionesh të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, që do të rijetëzohen dhe më mirëprezantohen në funksion të turizmit kulturor.” - u shpreh ministri Xhaferaj, duke vënë theksin se një nga përparësitë në këtë fushë mbetet edhe zhvillimi i Turizmit malor, me gjithë infrastrukturën e munguar, që pengon zhvillimin normal të tij.
140 mijë dollarë për Parkun Arkeologjik të Apolonisë
Restaurimi i monumenteve kulturore dhe qendrave arkeologjike fillon me Kalanë e Elbasanit, Beratit, Pazarin e Korçës dhe Kalanë e Shkodrës, projekt që do të realizohet me një fond prej 5 milionë eurosh të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Gjithashtu, rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë, me vlerë financimi rreth 140 000 dollarë nga UNDP dhe UNESCO, është parashikuar të përfundojë brenda 3-mujorit të parë të këtij viti. Pjesë e investimeve në fushën e trashëgimisë kulturore është dhe përmirësimi i aksesit të vizitorëve në Butrint, ndërhyrja radikale në menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në funksion të turizmit dhe rigjenerimin e muzeut arkeologjik, i cili është në rikonstruksion, me investimet në Amfiteatrin e Durrësit dhe rikonceptimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit etj.
Në fushën e artit dhe kulturës mbetet padyshim vënia në zbatim e ligjit të ri që parashikon ngritjen e institucioneve të reja kombëtare të kulturës, si Teatrin e Komedisë dhe Cirkun.
Ndërkohë që shpalosi arritjet në fushën e turizmit, ku Shqipëria ishte shpallur destinacioni turistik për vitin 2011, ministri Xhaferaj gjatë konferencës për shtyp komentoi gjithashtu se ngjarjet e 21 janarit dëmtuan rëndë industrinë turistike. "Ajo që ndodhi një javë më parë e ka dëmtuar rëndë industrinë turistike. Tentativa e Edi Ramës me 300 rrugaçë për të marrë pushtetin me dhunë i dha një goditje të rëndë imazhit pozitiv që kishte krijuar Shqipëria në këto 5 vite" - u shpreh ndër të tjera ministri Xhaferaj.