E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia në rrezik

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith deklaroi se trashëgimia kulturore dhe religjioze në Kosovë është në rrezik. Mirëpo, më pas, ai shtoi se nuk ka hapësirë për t’u alarmuar. Nga Alfred Beka më 23 shtator 2011 në ora 15:05

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith ua dorëzoi institucioneve të Kosovës Raportin e Progresit mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili përmban komente kritike për fushën e trashëgimisë kulturore.

Këtë raport, të enjten, në hapësirën e Qendrës Kulturore të Bashkimit Europian, Pieter Feith ua dorëzoi ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi si dhe zëvendësministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Shpëtim Rudi dhe kryetarit të Komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri.

Para se t’ua dorëzonte raportin, Feith tha se trashëgimia kulturore dhe religjioze në Kosovë është në rrezik. Mirëpo, ai shtoi se nuk është për t’u alarmuar sepse, sipas tij, trashëgimia kulturore dhe religjioze nuk është në rrezik vetëm në Kosovë por në të gjithë botën.

“Raporti përmban disa komente kritike që ka progres të rëndësishëm në shumë çështje. Raporti i progresit është gjithmonë arsye për t’u bërë paksa nervoz në Kosovë, por mendoj se në këtë rast nuk ka arsye për të qenë të alarmuar, sepse është e vërtetë se trashëgimia kulturore dhe fetare është në rrezik dhe nuk është vonë për të rregulluar këtë. Trashëgimia kulturore dhe fetare nuk është në rrezik vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën dhe kjo nuk duhet të shihet si diçka specifike për Kosovën”, tha Feith.

Ai shtoi se duhet të ketë një infrastrukturë ligjore të kompletuar për këtë fushë, që ato ligje të zbatohen dhe që të ketë një përkushtim më të madh dhe koordinim më të mirë të të gjitha palëve, institucioneve, shoqërisë civile dhe bashkësive fetare.

Në këtë raport paraqitet gjendja ekzistuese sa i përket zbatimit të zonave të veçanta të mbrojtura për monumentet dhe objektet e përfshira në Aneksin e pestë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i premtoi shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith se këto rekomandime do t’i marrin shumë seriozisht, do t’i analizojnë dhe do të gjejnë mundësi për t’i implementuar, gjithmonë në funksion të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Ai tha se trashëgimia kulturore në Kosovë është ballafaquar me shumë sfida dhe kjo nuk është diçka e re meqenëse gjendja e trashëgimisë kulturore në secilin vend të rajonit është e njëjtë, për sa i përket sfidave me të cilat ballafaqohet.

“Por, gjithsesi do të jetë një konkludim i përbashkët që ka pasur edhe zhvillime pozitive, por që pajtohemi që të dinamizohet angazhimi dhe kontributi i të gjitha palëve të interesuara në pajtim të përmirësimit të mëtutjeshëm të gjendjes”, tha ministri Krasniqi.
Ai shtoi se institucioni të cilin ai e drejton e ka vendosur trashëgiminë kulturore shumë lart në listën e prioriteteve dhe janë ndërmarrë hapa për ngritjen e sigurisë të zonave dhe objekteve që trajtohen në Raportin e Progresit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, siç e dini, në këtë mandat e ka në listën e top prioriteteve trashëgiminë kulturore. Vullneti ynë është të punojmë në koordinim me shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë, bashkësitë fetare dhe të gjithë të tjerët që janë të angazhuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Të gjeturat nga Raporti do të analizohen mjaft kujdesshëm dhe në bazë të tyre edhe të veprohet në terren”, tha ministri Krasniqi. Ai shtoi se në disa të gjetura të Raportit, në Zonën e Veçantë të Mbrojtjes në Novobërdë gjendja nuk është e mirë, ndërkaq theksoi se tashmë janë marrë hapat e nevojshëm që të ketë një siguri dhe ruajtje të mirë të monumenteve në këtë zonë.

Ndërkaq, Shpëtim Rudi, zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se raporti i dorëzuar sot nga Pieter Feith ishte një raport kritik, por jo në atë masë që duhet të kemi një panik të theksuar. “Ne e vlerësojmë shumë lart raportin e dorëzuar, është gjithëpërfshirës, të gjitha detyrat që duhet t’i zbatojmë si institucione të Kosovës në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Rudi. Ai theksoi se Ministria e Mjedisit si bartëse e planeve zhvillimore apo planifikimit hapësinor do të japë kontributin maksimal për 45 zonat e veçanta të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Gjithashtu edhe Bajrush Ymeri, kryetar i komunës së Novobërdës, theksoi përkushtimin e tij që të bashkëpunojë me të gjitha palët në terren për implementimin e rekomandimeve të nevojshme që vijnë nga ky Raport.

Raporti i Progresit mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili iu dha institucioneve kosovare, bën fjalë për 45 monumentet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Planin e Ahtisaarit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›