Trazirat e 17 dhe 18 tetorit në Itali, Njësia e Operacioneve Speciale bastis 18 qytete dhe kontrollon rreth 100 persona

Njësia e Operacioneve Speciale të Policisë Italiane (DIGOS) ka ndërmarrë një operacion të gjerë kontrollesh në 18 qytete të vendit, si pasojë e hetimeve për trazirat dhe përleshjet e dhunshme të zhvilluara më 17 dhe 18 tetor.
Sipas të dhënave të bëra publike, operacioni i kryer me autorizim të autoriteteve gjyqësore dhe me iniciativë të vetë policisë ka përfshirë kontrolle personale dhe banesash për rreth 100 persona. Ndër të identifikuarit gjatë incidenteve, një pjesë e konsiderueshme janë të moshave të reja. Hetuesit bëjnë me dije se “afërsisht 100 persona, përfshirë 51 të mitur”, janë identifikuar si pjesëmarrës në këto trazirale serioze.
Aksioni i koordinuar i DIGOS-it u shtri në një rrjet të gjerë qytetesh, ku përfshihen “Arezzo, Bari, Bergamo, Bolonjë, Bolzano, Como, Firence, Xhenova, Lodi, Napoli, Peskara, Padova, Kremona, Verbania, Aosta, Monza, Varese dhe Verona”.
Në rastin e qytetit të Arezzo-s, kontrollet e forcave të rendit u përqendruan te dy individë, ndonëse “nuk janë publikuar detaje të mëtejshme në këtë kohë”.
Fokusi kryesor i grupit hetimor mbetet rindërtimi i plotë i përgjegjësive individuale dhe zbardhja e rrjeteve të organizimit. Hetimet po vijojnë me intensitet për të sqaruar mënyrën se si u organizuan protestat, ku vëmendje e veçantë po i kushtohet komunikimit digjital. Hetuesit po punojnë për të zbuluar “se si pjesëmarrësit u mobilizuan përmes mediave sociale dhe fletushkave, përfshirë ato të krijuara duke përdorur inteligjencën artificiale”.