Trazirat në Kinë, ndërkombëtarët bëjnë thirrje për qetësi
Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me trazirat të cilat shpërthyen sërish në veriperëndim të Kinës. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për përmbajtje, në mënyrë që të mos përsëritet dhuna e së dielës, ku në Xinjiang u vranë rreth 156 njerëz. Shtetet e Bashkuara thanë se janë "thellësisht të shqetësuara" për zhvillimet në këtë rajon të Kinës. "Jemi thellësisht të shqetësuar për shkak të raporteve që flasin për një numër të lartë të njerëzve të vdekur dhe të plagosur nga dhuna në Urumqi në perëndim të Kinës", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs. Të njëjtin shqetësim kanë shprehur edhe fuqitë europiane. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do të bisedonte me presidentin e Kinës, Hu Xhintao, për përkeqësimin e situatës në vendin e tij, gjatë takimit të G8-ës në Itali. Franca, ndërkohë, njoftoi se Bashkimi Europian është duke zhvilluar diskutime se si të reagojë në lidhje me dhunën në Urumqi. Edhe Organizata e Konferencës Islamike dënoi incidentet e fundit dhe i bëri thirrje Pekinit që t'i nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës. Agjencitë kineze të lajmeve raportuan se policia ka arrestuar 1434 persona , në lidhje me dhunën etnike qe shpërtheu ne rajonin perëndimor Xinjiang, ku mbeten të vdekur 156 vetë. Të martën në kryqytetin e rajonit perëndimor të Xinjiang, Urumqi u mblodhën rreth 200 ujgurë, të cilët bllokuan njërën prej rrugëve kryesore dhe kërkuan lirimin e burrave dhe fëmijëve të tyre të arrestuar. Me këtë rast janë zhvilluar përleshje të ashpëra me njësitë speciale dhe forcat policore kineze. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka kërkuar zgjidhje paqësore të konfliktit. "Liria e grumbullimit dhe shprehjes së mendimit të lirë duhet të respektohen", tha ai në Gjenevë. Gjatë trazirave në provincën Xinjiang në veriperëndim të vendit përveç nurmit të madh të të vrarëve, u plagosën 800 persona dhe u arrestuan mbi 1400 të tjerë. Kryeqyteti i rajonit perëndimor të Xinjiang-ut, është një vend me pjesën dërrmuese të popullsisë, që i përket besimit mysliman.