E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre emrat që mbetën pa asnjë post në qeveri

Pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar të bëra këtë të enjte, më 26 shkurt, nga kryeministri Edi Rama, janë tre emra që kanë mbetur pa asnjë post.

Fjala është për Belinda Ballukun, Elisa Spiropalin dhe Pirro Vengun.

Shkarkimi nga detyra i Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, vjen pas një kalvari të gjatë debatesh, që nisi me marrjen e saj si e pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pezullimin e saj nga detyra prej GJKKO-së, kalimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e me radhë. Ndërkohë procesi vazhdon.

Balluku në detyrën e saj si zv.kryeministre do të zëvendësohet nga Albana Koçiu, e cila deri më sot mbante detyrën e Ministres për Punët e Brendshme.

Ndërkohë postin si ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë e merr një emër i ri, Enea Karakaçi.

Ndërkohë Elisa Spiropali e cila deri më sot mbante detyrën si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet jashtë qeverisë. Postin e saj e merr Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në BE.

Nga kabineti qeveritar, përveç Ballukut dhe Spiropalit është larguar edhe Pirro Vengu. Postin si ministër i Mbrojtjes e ka marrë Ermal Nufi, e cili më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›