E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre grevistë në spital. Rëndohet gjendja e grevistëve të tjerë

Grevistët në tendat e tyre konsumojnë vetëm ujë. Ata shprehen se janë të motivuar moralisht për të çuar deri në fund kauzën


TIRANË - Kur greva e urisë së 180 protestuesve dhe 21 deputetëve të opozitës ka hyrë në ditën e pestë të saj, është shfaqur edhe gjendja e rënduar e disa grevistëve kur tre prej tyre kanë përfunduar gjatë dy ditëve të fundit në qendrën spitalore "Nënë Tereza" dhe në spitalin Ushtarak.


Pas deputetes së Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, dje nuk kanë mundur dot të vazhdojnë grevën edhe dy protestues të majtë.


Ramazan Ceka, 52 vjeç, nga qyteti i Elbasanit dhe Romeo Sina nga Vlora kanë shfaqur probleme me gjendjen e tyre shëndetësore. 19-vjeçari, Romeo Sina, ka kaluar në gjendje të fikëti, ndërsa është ndërhyrë nga pjesa tjetër e grevistëve, duke kryer mbi të masazh kardiovaskular për ta mbajtur në jetë, ndërsa është përcjellë më pas me barelë drejt autoambulancës i shoqëruar edhe me duartrokitjet e grevistëve të tjerë.


Të dy personat që shfaqën komplikacione janë dërguar me autoambulancë drejt spitalit "Nënë Tereza", ndërsa gjendja e tyre është monitoruar nga afër nga vetë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, si dhe nga politikani, i vendosur tek tendat e grevës së urisë, nën cilësinë e mjekut, Sabit Brokaj.


Brokaj ka komunikuar edhe mbi gjendjen shëndetësore të grevistëve të tjerë, duke thënë se gjendja shëndetësore e tyre sa vjen dhe rëndohet për shkak edhe të periudhës kohore që kanë kaluar.


Por, pavarësisht kalimit të ditëve dhe shfaqjes së komplikacioneve tek grevistët, shumica prej tyre thonë se do të vazhdojnë grevën e urisë deri në arritjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit përmes hapjes së kutive. Sipas tyre, edhe pse janë të rënduar nga ana fizike, duke paraqitur probleme shëndetësore, ata thonë se janë të motivuar moralisht për të çuar deri në fund kauzën për transparencën e zgjedhjeve.


E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Romeo Sinën, i cili i është rikthyer sërish grevës së urisë. Grevistët në tendat e tyre konsumojnë vetëm ujë, ndërsa midis tyre tek -tuk mbahet ndonjë bisedë e shkurtër dhe më pas sytë drejtohen përgjatë hapësirës së tendës.


Ndërsa një pjesë tjetër janë dorëzuar përballë gjumit. Jashtë saj valëvitet një flamur i Aleancës së Atlantikut të Veriut, ndërsa në krahun tjetër ai shqiptar. Si duket grevistët duan të japin mesazhin se edhe ata janë po aq pro NATO-s sa edhe pjesa tjetër e shqiptarëve, pavarësisht aludimit të pak ditëve më parë, se një militant i së majtës dogji flamurin e Aleancës.


Pak më tutje autoambulanca qëndron në gatishmëri dhe në pritje të ndonjë personi që mund të shfaqë komplikacione, të cilat duket se do të jenë edhe më të shumta në ditët në vazhdim.

**************************

Flasin Viktor Lagji dhe deputeti Agim Leka. Sipas tyre, situata rëndon vetëm mbi Berishën

Grevistët: Nuk e ndalojmë grevën

TIRANË - Shfaqja e rasteve të fundit me gjendje të rënduar shëndetësore të tre grevistëve, nuk ka trembur pjesën tjetër të tyre.


Me gjithë vështirësitë që mund të hasin në ditët në vazhdim, një pjesë e tyre theksojnë se do të vazhdojnë të vazhdojnë grevën e urisë për të çuar deri në fund kauzën për transparencën e zgjedhjeve të kaluara.


Dy prej grevistëve thonë se me gjithë gjendjen shëndetësore që vijon të rëndohet edhe më shumë ata nuk do të largohen nga sheshi përballë Kryeministrisë, pa marrë një përgjigje konkrete nga shumica në pushtet, në përputhje me kërkesën themelore të opozitës që është hapja e kutive të votimit, si rrugë edhe për zgjidhjen e krizës politike.


Sipas deputetit të së majtës, për qarkun e Elbasanit, Agim Leka, situata që është krijuar deri më tani rëndon mbi kreun e qeverisë shqiptare Sali Berisha dhe jo mbi popullin opozitar.


"Janë larguar deri më tani tre vetë me barelë nga kjo grevë urie. Kjo është një e vërtetë që nuk rëndon as mbi këta grevistë këtu, as mbi popullin shqiptar, por rëndon vetëm mbi një njeri, mbi Kryeministrin e Shqipërisë, i cili nuk e ka kuptuar ende kauzën e Partisë Socialiste, kauzën e elektoratit dhe kauzën e popullit opozitar, e cila është një kauzë shumë e thjeshtë por shumë e madhe", - tha dje Leka.


Ai vuri në dukje se Kryeministri duhet të lejojë hetimin e zgjedhjeve duke hapur kutitë e votimit dhe duhet të ndalojë rrënimin ekonomik të vendit.


Ndërsa nënvizoi se grevës së urisë do t'i shkohet deri në fund pavarësisht presioneve verbale që vijnë nga mazhoranca. "Berisha duhet të lejojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe pastaj t'i thotë ndal rrënimit ekonomik që po rëndohet gjithnjë e më shumë. Nëse ne do të vazhdojmë apo jo?


Kjo është e padiskutueshme, që ne do të vazhdojmë sepse ne nuk kemi hyrë këtu për të bërë një pazar të rëndomtë midis forcave politike, por kemi hyrë këtu për t'i shkuar deri në fund kësaj kauze. Kjo nuk ndikohet as edhe nga represioni që ushtron sot pushteti", - u shpreh ai.


Ndërsa protestuesi tjetër, i riu Viktor Lagji nga qyteti i Vlorës i bashkëngjitet qëndrimit të grevistëve të tjerë, duke thënë se do ta vazhdojë grevën e urisë, pasi kjo është një çështje që shkon përtej interesave personale dhe, sipas tij, greva është rruga për të garantuar moscenimin e votës që u deformua në zgjedhjet e fundit parlamentare.


"Kjo kauzë është diçka që është mbi ne, lufta jonë është përtej kufijve të interesave personale. Kjo është një luftë për të gjithë shqiptarët për të drejtën e lirisë së votës, për të arritur demokracinë e vërtetë. Është një rrugë drejt një pafundësie që duket se nuk ka kthim dhe shpresojmë që të përfundojë për mirë', - shprehet 21 vjeçari Lagji.


Ai shtoi se gjendja shëndetësore e tij dhe e grevistëve është përgjithësisht e rënduar dhe për këtë arsye ditët në vazhdim, ai shprehet se mund t'i nënshtrohet formulës së rotacionit.


***
Bulku: Rama futi gratë në grevë. Grevistet: Jemi futur për të ardhmen

TIRANË - Mazhoranca nuk ka ngurruar të hedhë dje akuza ndaj kryesocialistit Edi Rama mbi vendimin e grave socialiste për të hyrë në grevë urie për transparencën e zgjedhjeve.


Nëpërmjet një deklarate për shtyp, deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, akuzoi Ramën se nuk ka asnjë ndjesi njerëzore me veprimin e tij, duke i detyruar gratë e PS-së të futen në grevë urie. "Jam këtu përpara për t'i thënë zotit Rama se ke hyrë në një rrugë të pashpirt e mizore, duke futur gratë në grevë.


Zoti Rama të futësh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qenien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve", - tha dje Bulku.


Por "shqetësimit" të deputetes së PD-së femrat e opozitës i janë përgjigjur me anë të një letre të hapur, duke i vënë në dukje Bulkut se ato nuk janë detyruar për të hyrë në grevë urie nga kreu i opozitës, Edi Rama, por janë futur për sigurinë e të ardhmes së fëmijëve të tyre.


"Ne jemi deputete për herë të parë si ti apo qytetare që janë në këtë grevë jo sepse na ka urdhëruar e ardhmja e fëmijëve tanë. Për të cilët të lutemi njësoj si për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që ti së paku të mos i terrorizosh me gjuhën e Sali Berishës e Jozefina Topallit", - thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar deputetes së PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›