PE dështon në zgjidhjen e krizës. PD refuzon rezolutën

Mazhoranca bllokon miratimin e projektrezolutës të përgatitur nga PE. Nuk pranojnë se ka krizë politike
BRUSKEL - Kriza politike e transferuar në Bruksel nuk arriti të marrë zgjidhje as nga vetë Parlamenti Europian, duke mos miratuar deklaratën përfundimtare pas takimit të dytë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Sipas burimeve nga Brukseli bëhet e ditur se rezoluta përfundimtare, e hartuar nga vetë Parlamenti Europian mbi situatën politike në Shqipëri, është kundërshtuar në bllok nga përfaqësuesit e mazhorancës, pasi, sipas tyre, në vendin tonë nuk ka krizë politike.
Rezoluta e hartuar nga eurodeputetët e Parlamentit Europian theksonte ndër të tjera në përmbajtjen e saj se për zgjidhjen e krizës politike nevojitet një reformë parlamentare si dhe përmbushja e detyrave përkatëse që i janë vënë Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat dhe procesit të liberalizimit të vizave, ku përveç progresit të deritanishëm që është bërë, qeveria shqiptare duhet të fokusohet edhe tek blloku i dytë dhe i tretë i Udhërrëfyesit për heqjen e vizave.
Por, amendamentet e paraqitura nga Partia Socialiste për këtë rezolutë nuk janë marrë parasysh nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët edhe këta të fundit nga ana e tyre kishin paraqitur amendimet e tyre.
Por në momentin e fundit, teksa pritej që të votohej projektrezoluta e PE-së bashke me disa amendamente,
të propozuara nga dy partitë kryesore në vend, PD-ja ka refuzuar në bllok që të kalojë miratimi i rezolutës.
Ndërkaq, drejtuesi i këtij Komiteti dhe njëkohësisht kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, ka mbetur i zhgënjyer nga ky rezultat i PE-së për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
"Ngërçi politik ishte evident këtu në Parlamentin Europian, sepse pas dy ditë diskutimesh intensive, ne nuk ia dolëm të miratojmë deklaratën e përbashkët me rekomandimet e nevojshme. Jam i zhgënjyer, nuk e fsheh këtë sepse për herë të parë, një takim i tillë përfundon në një situatë të tille", - ka thënë Kukan.
Nga ana tjetër, eurodeputeti rumun i PSDE-së, Viktor Boshtinaru, vuri në dukje se kreu i delegacionit të mazhorancës në PE, Fatos Beja, ka pasur ndërhyrje nga Tirana për të bllokuar miratimin e deklaratës përfundimtare. "Kompromisi u arrit me të dy palët. Z. Beja erdhi në fund të negociatave, e ndoshta, them se ai pati telefonata nga Tirana, sepse bllokoi negociatat dhe ne nuk ia dolëm të miratonim deklaratën përfundimtare.
Kjo gjë është e paprecedentë për takime ndërparlamentare apo komitete të përbashkëta që të mos kenë një qëndrim përfundimtar. Kjo është alarmante për Parlamentin Europian që nuk po sheh gatishmëri nga të dy palët në Shqipëri për të punuar së bashku për fatin europian të vendit tuaj.
Unë nuk e kuptoj dhe nuk e pranoj që përmes ping - pongut, ne këtu në Parlamentin Europian të bashkëpunojmë ndërsa kolegët tanë shqiptarë të mos bëjnë të njëjtën gjë", - është shprehur Boshtinaru.
Ai ka shtuar se nevojitet një marrëveshje midis dy krerëve të forcave politike Rama e Berisha, pasi vazhdimi i kësaj situate, sipas eurodeputetit Boshtinaru, do të ketë një çmim të lartë.
"Thirrja ime ndaj z. Rama e ndaj Sali Berishës gjithashtu, është se duhet të nisin menjëherë bashkëpunimin, për një marrëveshje të momentit të fundit, që është në mënyrë dramatike shumë e nevojshme. Ndoshta mesazhi im është po ashtu dramatik, por ata duhet të kuptojnë se nuk mund t'i tregojnë muskujt njëri-tjetrit në mënyrë të vazhdueshme.
Çmimi është shumë i lartë e ata duhet të ndalojnë", - apeloi eurodeputeti rumun. Në këtë mënyrë, kriza politike nuk arriti të marrë zgjidhje as në Parlamentin Europian për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, duke mos miratuar deklaratën përfundimtare të PE-së, dhe lënë sërish pezull zgjidhjen e ngërçit politik.