E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre këshilltarë refuzojnë ekskursionin në shenjë proteste

 
Për një ekskursion në Francë janë shpenzuar 3.5 milion lekë. Vizita, thjesht për turizëm
 
Kukës
Këshilli bashkiak, ekskursion me paratë publike
KUKES- Këshilltarët e Bashkisë së Kukësit kanë përdorur një pjesë të fondit të dhënë për shërbimet publike, për një ekskursion në Francë. Në mesin e dhjetorit, 22 këshilltarë të Bashkisë së Kukësit kanë ndërmarrë një udhëtim turistik 6 ditor në Francë, duke shpenzuar 3.5 milionë lekë të reja. Ndërkohë që udhëtimi i tyre ka qenë thjesht turistik dhe pa asnjë motiv tjetër. Madje bëhet e ditur se aktiviteti i vetëm i këshilltarëve bashkiakë të Kukësit kanë qenë disa foto që kanë bërë tek Harku i Triumfit dhe Kulla Eifel, në qendër të Parisit. Ky veprim ka hasur në reagimin e opinionit qytetar, sidomos të biznesmenëve që paguajnë taksa në bashki.
Bizneset: S'paguajmë taksat
Biznesmenët kanë kërcënuar se nuk do t'i paguajnë taksat bashkisë, pasi ato po shpërdorohen për luksin e këshilltarëve. " Nuk paguajmë taksa për qejfet e këshilltarëve. Me ato para mund të ishin ndërtuar rrugë, lulishte, por edhe ishin kuruar të sëmurë jashtë shtetit",- shprehet i revoltuar T. Dani, përfaqësues i biznesit të vogël që paguan rregullisht taksat pranë bashkisë. Ndërkohë që në shenjë proteste ndaj këtij vendimi absurd kanë braktisur ekskursionin kryetari i këshillit të Bashkisë, Hajri Ademi (këshilltar i pavarur), këshilltari i PDK-së Arben Bilali dhe këshilltari i PR-së, Ylber Elezi. Megjithatë vendet e tyre nuk kanë mbetur bosh, pasi këshilltarët kanë marrë me vete njerëz të afërm të tyre.
Votimi
Këshilli i Bashkisë së Kukësit ka votuar me shumicë dërmuese votash që të ndajë 3.5 milionë lekë për ekskursion. Ky vendim i këshillit të bashkisë nuk është kundërshtuar as nga ana e prefektures, duke e cilësuar si të bazuar në ligj. Ky shpenzim luksi i këshilltarëve bashkiakë bëhet në një ndër bashkitë më të varfra të vendit, ku rreth 50 për qind e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike, e cila nuk i kalon 2 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që mësohet se shumica e këtyre këshilltarëve kanë qenë edhe vitin e shkuar në ekskursion në Itali. Këshilli bashkiak përbëhet prej 25 këshilltarësh. Numrin më të madh të këshilltarëve e përbëjnë të pavarurit, të cilët kanë përfituar nga lehtësirat që u ka dhënë ligji zgjedhor, ku disa prej tyre janë shpallur këshilltarë edhe me 100 vota.
Bashkia e varfër
Qeveria miratoi më 5 dhjetor një fond shtesë prej 100 milionë lekësh të reja në buxhetin e vitit 2007, për disa bashki të vendit tonë, midis tyre edhe bashkisë së Kukësit, e cila përfitoi 15 milionë lekë të reja nga fondi total. Në relacionin që ka shoqëruar projektvendimin e qeverisë janë përmendur edhe arsyet e kësaj shtese. Disa nga arsyet kanë qenë gjendja e vështirë financiare e bashkive për përballimin e nevojave të komunitetit për shërbime publike. Gjendjet e vështira të këtyre bashkive sipas relacionit kanë ardhur edhe nga pamundësia e tyre për vjeljen e taksave, sidomos të atyre të biznesit të vogël. Ndërkohë që bashkia e Kukësit bën "rrush e kumbulla" 1/4 e fondit shtesë të akorduar nga qeveria.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›