E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësia e madhe, vdes 18-vjçari

 
Ergys Isai, humbi jetën, pas mbrëmjes së shkollës, kur makina ku ishte pasagjer u përplas me reklamën
 
Vlorë-Shpejtësia me makinë i ka kushtuar jetën një 18-vjeçari nga Vlora, që humbi jetën si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si Rrethi i Kulaçit, kur Ergys Isai, sapo kishte dalë nga mbrëmja e organizuar me nxënës të shkollës ku mësonte, me rastin e festave të fundvitit. Pas festës së zhvilluar, nxënësit janë shpërndarë, ndërkohë që 18-vjeçari ka qenë në një mjet tip benz, së bashku me dy shkollarë të tjerë, po të vitit të tretë. Pas festës ata janë drejtuar për në Ujë të Ftohtë. Dëshmitarë okularë kanë shpjeguar se prej kur janë nisur nga zona e Skelës ku kanë zhvilluar festën, mjeti ka qenë me shpejtësi. Te vendi që njihet si Rrethi Kulaçit, mjeti ka hipur një herë mbi bordurë, por pas kësaj ata kanë nxituar sërish në drejtim të Ujit të Ftohtë. Kthesa e marrë ku ndodhet stacioni i fundit te Rrapi, ka rezultuar fatale për jetën e adoleshentit, i cili udhëtonte si pasagjer në sediljen e pasme. Shpejtësia e madhe ka bërë që mjeti të humbë kontrollin dhe të përplaset me një nga tabelat e mëdha të reklamës që ndodhet në këtë zonë, e më pas të kryejë salto. Tre shkollarët janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal, por dëmtimet e marra kanë qenë shumë të rënda për Isain, që për pasojë humbi edhe jetën. Pasi ka sqaruar rrethanat e aksidentit, për drejtuesin e mjetit, 17-vjeçarin Amarildo Z. është prerë fletë arresti, si shkaktar i aksidentit. Edhe një vit më parë, një tjetër shkollar ka humbur jetën në rrethana të ngjashme, po në zonën e Ujit të Ftohtë, si pasojë e shpejtësisë së madhe të mjetit, e ngjarjes së tij nën efektin e alkoolikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›