E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre musketierët në zgjedhjet e përgjakshme

Ernest Bunguri

Gazetar / Bruksel

Nuk janë më zgjedhje lokale, e as vetëm politike. Na rri të tërëve mbi kokë, e kur e ndjej unë këtu në Bruksel, në epiqendrën Tiranë intensiteti duhet të jetë shumë herë më i lartë. Këto zgjedhje mbajnë era gjak, pra janë zgjedhje të përgjakshme. Ashtu siç kanë qenë shumë palë zgjedhje në Shqipëri (për ata që do të thonin, e çka të re këtu). E reja, në vitin 2011, është që vendi ynë ka përparuar bindshëm në të ecurin mbrapsht, duke e filluar gjakderdhjen ende pa nisur fushata, për ta vazhduar gjatë saj, pra, ditë më të mbrapashta na presin deri më 8 Maj e ndoshta dhe pas kësaj date.

Ndërkohë në fushatë janë përfshirë të gjithë. Socialistë e të pakënaqur me Berishën i fusin në një thes, nga llogorja tjetër ku qëndrojnë pushtetarët dhe militantët e tyre. Në mes, ashtu të shushatur, spektatorë e pjesmarrës mitingjesh, rri ajo pjesë minorancë e administratës publike, e kërcënuar ose e frikësuar për vendin e punës.

Në fushatë kanë hyrë, për herë të parë kaq thellë, me kokë e këmbë, edhe ambasadorët më të rëndësishëm. Ky amerikani ynë, ndërpreu mardhëniet me një të përditshme për kinezëritë e Yzeirit. Ndërkohë që KQZ i kërkon mediave të shpërndajnë kaseta të montuara fushatash.

Në Kosovën fqinje, amerikanin e tyre e pikturojnë me bythë përjashtë në karikaturën moderne të Fisnik Ismailit, në facebook, The Pimpsons. Para kësaj, e patë çreagim pati ndaj C.D kur iu drejtua të përditshmes Koha Ditore për thyerje të privatësisë me publikimin e SMS që vendosi në krye të vendit Bexhet Pacollin.

Por në Tiranë gjakrat janë nxehur keq. Në lojë është futur shpejt, me të mbërritur, edhe ambasadori i BEsë, që sot e quajnë thashethemexhi dhe inferior ndaj amerikanit, cilësime këto që përbëjnë zhgënjim. Ndërsa ai i OSBEsë, Wollfarth, çtë thuash për të kur ai të përgjigjet si të duash, nga cilido krah qofsh, as mish as peshk.

Problemi është që këto zgjedhje, të përgjakshme, nuk vijnë as erë zgjedhjesh të përgjithshme. Por vetëm era gjak. Të paktën të nisur nga eksperienca e freskët, mund të themi se nëse Partia Socialiste humbet, Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen si në 2009, sepse sipas tij Saliu do ti ketë vjedhur votat. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka dëshmuar që nuk e lëshon karrigen edhe me gjakun e katër viktimave të pafajshme në bulevard. Kanë premtuar dhe më shumë në të ardhmen në rast përsëritjeje të dhunës ndaj ndërtesës ku punon kryeministri.

Pra në rastin më të mirë, do të kemi edhe dy vjet ngëç deri në zgjedhjet e vitit 2013. Dhe imagjinoni që rruga tjetër e vetme, është një 97 alla 20011tëshe, që hajde gjeje çdo pjellë.

Një mostër të kësaj klime të rëndë, polli ndërkohë emisioni i radhës Opinion i gazetarit Blendi Fevziu me tre ambasadorët. Pashë që amerikani me ngut kërkoi të merrte fjalën për tu përgjigjur i pari, e të gjithë e mirëkuptuan. Më pas, Blendi (në botën e çudirave siç e kam quajtur dikur) i lëshon ca pyetje me një anglishte mjaft të keqe evropianit, duke përzier çmime e biletari për një proces për të cilin është krejtësisht injorant. Ndërsa i pyeturi, i kthente përgjigje të tipit, po po të vini pesë minuta më herët në biletari, apo siç quhen ndryshe në gjuhën më të re të krijuar nga polemika Arvizu-Shekulli, kinezërira të Yzeirit.

Ctë shihja më, pas do pyetjeve të Blendit si në ato kafet e Rognerit, pa ngjyrë, pa kuptim, por me një strategji të mefshtë e të vogël pas qafe. Gjithë këtë emision, me gjithë këto ambasadorë, që na përrallisin se sa e varfër është Shqipëria, por sa të gëzuar janë ata kur kthehen në Tiranë, apo kur na rrëfejnë se si voton një qytetar, se çështë vota, se si hidhet ajo në kuti, e të tjera kinezërira si këto. Ndoshta na e kanë me të mirë. Me stilin mikro-menaxhim siç quhet në Bruksel, kërkojnë të na ndihmojnë që të mos humbasim as ato dy çika institucione që na kanë mbetur (a kanë mbetur vërtetë të tilla?). Duke mos e ditur që në filozofinë e këtij emisioni, e rëndësishme është që ishin të tre në Klan ( pra sipas tyre mbështesin Berishën) dhe që folën dhe për preferencat e tyre për kandidatët në garë. Kinezërira!

Në fushatë janë përfshirë të gjithë. Dalshim faqebardhë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›