Tre muzikalët e studentëve
Studentë të Koreografisë tregojnë aftësitë e tyre në "Collection of love". Është herë e parë që japin provim në një skenë të vërtetë
Studentët e vitit të tretë të koreografisë në Akademinë e Arteve këtë semestër menduan të rrëzonin modelin klasik të provimit. Aftësitë e tyre i treguan jo në klasën e baletit, por në skenën e vërtetë.
Për të realizuar këtë mision kishin zgjedhur dhe përshtatur në emrin "Collection of love" tre musicale "Step up 2", "Mamma Mia" dhe "Nusja dhe paragjykimi" (Bride and Prejudice).
Tre ritme të ndryshme Hip-Hop, Pop dhe muzikë orientale për të treguar se dinë të krijojnë, kërcejnë dhe aktrojnë.
Në këtë provë studentët kishin realizuar gjithçka vetë, koreografinë, skenografinë, kostumografinë dhe regjinë. Sigurisht që çdo gjë ka qenë nën mbikëqyrjen e pedagoges Kozeta Bakiu.
Ka qenë ajo iniciatorja e këtij provimi jo të zakonshëm sepse "një koreograf duhet t'i bëjë të gjitha".
Pjesa e parë "Step Up" tregonte historinë e një vajze që shkon të studiojë në një shkollë baleti dhe ngjiti në nivelin e skenës kërcimin e Hip-Hopit e thënë ndryshe kërcimin e rrugës. Pjesa e dytë ishte muzikali "Mamma mia". Historia e Znj. Dona (Ilda Rrapo) që ka sakrifikuar gjithçka për vajzën e saj Sofinë (Romina Kaso).
Nën ritmet e muzikës së grupit suedez ABBA regjisorja amerikane Phyllida Lloyd në vitin 2008 realizoi musical-in "Mamma Mia" një film që përfshinte komedinë, romancën dhe muzikën. Balerina Ilda Rrapo gjendjen shpirtërore të Znj. Dona e shprehu më mirë me kërcimin e saj sesa nëpërmjet fjalëve..
Ishte "Nusja dhe paragjykimi" ajo që i tregoi me të vërtetë vlerat e këtyre studentëve si balerinë dhe koreografë. I bazuar në romani e Jane Austen "Krenari dhe paragjykim" regjisori indian Gurinder Chadha në vitin 2004 realizoi një parodi që kishte në qendër një familje indiane.
Prindërit e katër vajzave nuk binin dakord për martesat e tyre. Katër vajzat Sindi Gjoka, Isida Mollaymeri, Ilda Rrapo dhe Romina Kaso interpretuan me shumë finesë koreografitë e ndërlikuara indiane.
Ato u shoqëruan edhe nga Fatjon Lito, Besmir Skuraj dhe Andi Vrapi. Më shumë gjallëri kësaj pjese i dha bashkëpunimi me studentë e regjisë dhe të aktrimit Oriana Cama dhe Florian Belliu. Këta dy protagonistë e ngritën provimin në nivelin e një shfaqjeje të vërtetë.
Pedagogia Kozeta Bakiu thotë se në të ardhmen provimet mund të dalin përgjithmonë nga salla e baletit dhe të vendosen në skenë.
Zoti Ibrahim rrëfehet edhe këtë fundjavë në teatër
Aktori Mirush Kabashi këtë fundjavë ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar me pjesën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit".
Kjo monodramë është një përshtatje skenike që Mirush Kabashi i ka bërë romanit më te njëjtin titull të shkrimtarit me origjinë hebreje Eric Emmanuel Schmitt. Në sallën e vogël të TK-së Kabashi do të rrëfejë historinë e djalit të vogël që ndërroi emrin nga Moisi në Muhamet.
Kjo është e shfaqja e vetme që TK i paraqet publikut për këtë fundjavë. Në sallën e madhe ende po punohet për premierën "Filumena Marturano" që do të shfaqet në 20 shkurt.