Artisti Ali Mula nderohet me titullin Mjeshtër i Madh
Artisti tropojan Ali Mula, që njihet si krijuesi i valles 'Kërce moj çike', një nga më të spikaturat në verilindje të vendit,u dekorua dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Urdhrin Mjeshtër i Madh rapsodin Ali Mula me motivacionin: Mjeshtrit të talentuar, që me pasion dhe dashuri të rrallë ju përkushtua hulumtimit, mbledhjes, studimit dhe transmetimit tek brezat e artistëve, të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës, Malësisë së Gjakovës, si pjesë e thesarit të vyer të vlerave kombëtare.
Vallja Kërce moj çike mban vitin 1956, por Mula përmend dhe disa nga vallet dhe rapsoditë më të dëgjuara dhe të spikatura të Tropojës si Vallja e Valbonës, motivi i valles së madhe, siç e quan ai, Festë të Madhe ka Shqipëria, apo edhe vallja e Bajram Currit, të cilin e ka krijuar në dy variante, me kor dhe solo. Artisti tropojan ka një karrierë të gjatë artistike, si artist e regjisor dhe është pasqyruar në shumë aktivitete e festivale të Shqipërisë, për të cilat është nderuar me tre çmime si Laureat Republike. Me dashurinë për artin, Ali Mula formoi Ansamblin Valbona të Tropojës dhe Ansamblin Dardania, emrin e të cilit mban sot Ansambli i Tropojës. Në ceremoninë e dekorimit të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave ishin të pranishëm familjarë të rapsodit, deputetë, personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare, figura të shquara nga Tropoja si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Këshilltari Juridik, z. Artur Metani, Presidenti Topi i dorëzoi z. Mula dekoratën duke i shprehur njëkohësisht urimet dhe konsiderata të përzemërta. Nga ana e tij, z. Mula falënderoi Presidentin e Republikës për nderin dhe respektin e lartë që i bëri punës së tij shumëvjeçare dhe u shpreh: Më lejoni, zoti President i Shqipërisë, fjalët e para nuk i thotë goja ime sot, por i thotë zemra! Ju falënderoj deri në qiell! Ky nderim i madh që më bëni ju sot, nuk është vetëm i imi, është i gjithë miqve dhe shokëve të mi artistë, me të cilët bashkëpunova në jetë edhe mendoj se do të vazhdoj edhe pak. Ky nderim i përket popullit të Tropojës. Më tej ai u shpreh se: Unë me këtë rast falënderoj të gjitha organizmat, që më vlerësuan duke filluar nga Shoqata të Intelektualëve të Tropojës, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike të Shqipërisë, Unioni Artistik Kombëtar, veçanërisht gjithë shokët e miqtë e mi të Tropojës, me të cilët bashkëjetova për një periudhë 70-vjeçare!. Përveçse regjisor dhe kompozitor i valleve dhe këngëve tropojane, Mula spikat edhe si instrumentist, ku ka interpretuar me veglat muzikore me tel si çifteli, sharki e mandolinë. Më tej rapsodi, i cili ka një karrierë artistike disa vjeçare u shpreh se: Një urim të veçantë i bëj të madhit dhe të voglit të Tropojës, të atij populli, që hapi dyert e tij me bujari, të shtëpive dhe të staneve e të bjeshkëve ku unë mblodha nektarin të kulturës së popullit të Tropojës. Edhe ata pa ndrojtje, ma dhanë edhe unë gjithashtu e dorëzova në duart e vëllezërve të muzikës shqiptare, të cilët me kujdes të madh e bënë të njohur në Evropë edhe në botë artin tropojan. Tropoja është një pemë e vogël, por ka superprodhim dhe unë mendoj që frute aq të mira, kurrë nuk i gjen gjë atje. Është kënaqësi e nder i madh, që unë jam bir Tropoje. Në përfundim të kësaj ceremonie, Ansambli Dardania i Tropojës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve, dhanë një shfaqje artistike me një repertor folkloristik të përzgjedhur, kryesisht nga krijimtari të rapsodit Ali Mula.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2