E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre të rinj lanë emigracionin dhe investuan në Shqipëri, nga turizmi te bimët medicinale

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Nga emigracioni drejt sipërmarrjes në vendlindje, historia e tre të rinjve ishte në fokus të podcastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ku të tre i lidh historia e kthimit nga jashtë për të vazhduar rrugëtimin këtu në Shqipëri.

“Driloni është vendosur kokëfortësisht në Bulqizë në fshatin Vajkal, ku ka ngritur një strukturë për mbledhjen dhe pastaj trajtimin e bimëve medicinale. Ndërkohë që Ergi bashkë me Enson janë kthyer nga Austria dhe Gjermania”, tha Rama.

Driloni, një sipërmarrës nga Bulqiza gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Rama tregoi rrugëtimin e tij nga Italia drejt ngritjes së një aktiviteti për grumbullimin dhe përpunimin e bimëve medicinale dhe aromatike.

“Driloni u largua drejt Italisë në vitin 2003 dhe, pas rreth pesë-gjashtë vitesh, u kthye në Bulqizë, ku fillimisht ngriti një kompani transporti që operonte kryesisht në fushën minerare. Paralelisht me aktivitetin, ai vijoi edhe studimet”, tha Rama.

Më pas, tha Rama, duke u nisur nga mundësitë që ofronte zona, vendosi të ndryshojë drejtim dhe të investojë në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

“Patjetër. Në Bulqizë kam vendlindjen edhe aktivitetin e transportit, pastaj më pas, për të mbyllur atë transportin dhe për të hapur këtë të bimëve mjekësore dhe aromatike. Ne arritëm ta ndërtonim dhe ta vendosnim në funksion magazinën”, tregon Driloni.

Aktiviteti nisi në vitin 2022 dhe, sipas tij, është rritur në mënyrë të qëndrueshme, duke tejkaluar parashikimet fillestare.

Një prej sfidave të para ishte bindja e banorëve të zonës se bimët që rriten natyrshëm në territor mund të shndërroheshin në një burim të ardhurash.

“Ne u vendosëm në Bulqizë me një mentalitet krejt tjetër. Në një zonë ku dihet industria e rëndë minerare, shfaqja me këtë ide dhe me këtë plan të ri për grumbullimin e bimëve mjekësore nuk ishte shumë e njohur apo e pranueshme edhe për banorët e zonës”, tha Driloni.

Ai solli si shembull frutat e ferrës, të cilat banorët i gjejnë pranë shtëpive, por që tashmë mund t’i mbledhin dhe t’i shesin.

“Ne u themi për gjethin e ferrës, frutikozën, që e kanë pranë shtëpisë: mblidhe, kushton një euro kilogrami e njomë ose dy euro e thatë. Në fillim nuk arrinin ta imagjinonin se kjo shitej”, tregoi ai.

Sot, sipas tij, situata ka ndryshuar dhe aktiviteti është zgjeruar ndjeshëm. Nga rreth 30 familje që ishin pjesë e rrjetit në fillimet e aktivitetit, numri ka arritur në mbi 400 familje.

“Rritja është e qëndrueshme, përtej parashikimeve, sepse shtohen fermerët. Ata marrin vesh që pagesat bëhen direkt aty. Vendi është strategjik dhe i favorizon për logjistikën dhe rrugët”, tha sipërmarrësi.

Për të lehtësuar procesin e grumbullimit, kompania ka nisur gjithashtu të zhvillojë makineri prototip, të ndërtuara në Bulqizë në bashkëpunim me mekanikë të zonës, për vjeljen dhe mbledhjen e bimëve.

“Jemi bërë bashkë, kemi ndërtuar idetë dhe kemi arritur ta realizojmë një makineri nga fillimi për mbledhjen, me sukses”, u shpreh ai.

Por aktiviteti nuk është kufizuar vetëm te bimët medicinale. Sipërmarrësi ka zgjeruar grumbullimin edhe te kërmilli, një tjetër produkt natyror me potencial eksporti.

Bulqiza përveç se është një vend prodhues përveç pjesës minerale është edhe një parajse mjekësore dhe aromatike”, tha ai.

Sipas tij, vetëm në zonat e Bulqizës, Maqellarës dhe Burrelit, studimet e kryera nga kompania kanë evidentuar një potencial prej më shumë se 700 tonësh kërmill natyror në sezon.

“Unë e fillova për të gjithë. Nuk ia mbylla derën askujt”, tha ai, duke shpjeguar zgjerimin e aktivitetit. Kompania ka arritur të grumbullojë deri në 10 tonë kërmill, i cili më pas eksportohet përmes një kompanie në Korçë, me destinacion tregjet e Greqisë dhe Francës”, tha Driloni.

“Historia e Drilonit është pjesë e një rrëfimi më të gjerë të të rinjve që janë kthyer nga emigracioni dhe kanë zgjedhur të ndërtojnë aktivitetet e tyre në Shqipëri, duke u mbështetur te mundësitë dhe burimet e zonave të tyre të origjinës.

Në podcast u prezantuan edhe dy sipërmarrës të tjerë, Ergi dhe Enso, të cilët janë kthyer nga Austria dhe Gjermania dhe kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë dhe Berat, duke e lidhur aktivitetin e tyre me sektorin e turizmit.

Ergi u largua drejt Austrisë me synimin për të ndërtuar një karrierë në futboll. Ai luajti për rreth një vit e gjysmë deri në dy vite në ligën e tretë austriake, në pozicionin e sulmuesit të majtë, por më pas vendosi të rikthehej.

“Shkova në Austri, e provova aty. Luajta në ligë të tretë me një ekip. Nuk më eci shumë mirë aty ku unë doja, për aspiratat që kisha për të luajtur në kategorinë e parë”, tregoi Ergi.

Pas kthimit në Shqipëri, ai pati mundësi të vazhdonte futbollin në kategorinë e parë, por zgjodhi t’i bashkohej biznesit familjar, ku nisi punën në sektorin e shitjeve.

“Vëllai, si vëlla i madh, ma hapi derën. Nuk kisha punuar më parë në biznesin familjar. Vazhdova rrugëtimin këtu me familjen, hyra në shitje në fillim dhe pashë që kisha një talent të fshehur. Atë talent që kisha në futboll e kisha edhe në biznes”, u shpreh ai.

Ndërkohë, vëllai i tij, Enso, zgjodhi Gjermaninë pas disa vitesh angazhim në biznesin familjar. Ai tregoi se vendimi për t’u larguar erdhi pas një periudhe intensive pune dhe dëshirës për të provuar një eksperiencë të re.

“Pas katër vitesh në biznes, pas periudhës së vështirë të tranzicionit, u lodha në një farë forme. Isha shumë i konsumuar nga biznesi, sidomos vitet e para. Pasi u kthye vëllai i thashë: tani është radha ime ta provoj, dua të shoh diçka tjetër”, rrëfeu Enso.

Në Gjermani ai mësoi gjuhën dhe u përpoq të integrohej në tregun e punës, por pas një periudhe vendosi të rikthehej në Shqipëri.

“Mësova gjuhën shumë shpejt, për gjashtë muaj. Bëra edhe një intervistë në gjermanisht të nivelit B2. Por analizova të dyja, çfarë më pret Gjermania dhe çfarë më pret Shqipëria. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha ai.

Enso veçoi familjen, shoqërinë dhe mënyrën e jetesës si disa prej elementeve që, sipas tij, merr një tjetër vlerë kur jeton jashtë vendit.

“Kur ikën, e kupton vlerën e familjes dhe shoqërisë. Kur je këtu nuk e kupton gjithmonë, por kur je atje e kupton”, u shpreh ai.

Biznesi familjar, në të cilin tashmë janë angazhuar të dy vëllezërit, ka nisur me vetëm dy produkte për sektorin hotelier, çarçafë dhe peshqirë. Me kalimin e viteve, aktiviteti është zgjeruar dhe sot kompania prodhon një linjë më të gjerë produktesh, përfshirë edhe dyshekë dhe produkte të tjera për hotelet.

Të dy vëllezërit e lidhin zhvillimin e aktivitetit edhe me rritjen e turizmit në Shqipëri, ndërsa për të ardhmen shohin mundësi të tjera zgjerimi.

Tre të rinjtë, me eksperienca të ndryshme në Itali, Austri dhe Gjermani, kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri dhe të ndërtojnë rrugëtimin e tyre profesional përmes sipërmarrjes në Tiranë, Berat dhe Bulqizë.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›