E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Turizmit, Gonxhja: Shqipëria mikpret përmes historisë, kulturës dhe traditës

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, duke vënë në fokus historinë e mikpritjes shqiptare dhe rëndësinë e turizmit si një mënyrë për të njohur kulturën dhe traditat e një vendi.

Në një mesazh të publikuar me rastin e kësaj dite, Gonxhja theksoi se mënyra se si Shqipëria ka pritur ndër vite udhëtarët është pjesë e historisë së vendit dhe e identitetit të saj.

“Çdo epokë ka lënë gjurmën e saj në mënyrën se si Shqipëria ka mikpritur udhëtarët”, u shpreh ministri.

Sipas Gonxhjas, përvoja turistike nuk lidhet vetëm me vizitën në një destinacion, por edhe me njohjen e historisë, kulturës dhe traditës së mikpritjes që e karakterizon atë.

“Turizmi nuk është vetëm të vizitosh një vend. Është të njohësh historinë, kulturën dhe traditën e mikpritjes së tij”, theksoi ai.

Në mesazhin e tij, ministri e vuri theksin te dimensioni kulturor dhe njerëzor i turizmit, përtej vizitës në destinacione të ndryshme.

Dita Ndërkombëtare e Turizmit shënohet çdo vit më 27 shtator, me synimin për të evidentuar rëndësinë e turizmit dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor.

E shpallur si e tillë që prej vitit 1980, kjo ditë shërben çdo vit për të nxjerrë në pah rëndësinë ekonomike, sociale dhe kulturore të turizmit. Në vitin 2026, vëmendja përqendrohet te një prej teknologjive që po ndryshon më shpejt këtë industri: Inteligjenca Artificiale.

Platformat digjitale dhe mjetet e inteligjencës artificiale po marrin një rol të rëndësishëm në këto vendimmarrje, duke u ofruar turistëve rekomandime të personalizuara për destinacionet që mund të vizitojnë.

Turizmi vijon të mbetet një prej sektorëve me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e Shqipërisë, duke ndërthurur pasuritë natyrore me trashëgiminë kulturore, historinë dhe traditën e mikpritjes.

Nga bregdeti te zonat malore, qytetet historike dhe destinacionet rurale, vendi synon të ofrojë një përvojë turistike të lidhur me identitetin dhe vlerat e tij, ndërsa zhvillimi i sektorit shoqërohet me përpjekje për rritjen e qëndrueshmërisë dhe diversifikimin e ofertës turistike.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›