Tre vajza në gjendje të rëndë, pritet dërgimi jashtë

Mjeku Sami Koçeku
TIRANË- Eriselda Gubere, 21 vjeç nga Lushnja dhe Florije Peci, 21 vjeç nga Elbasani janë dy vajzat në gjendje të rënduar shëndetësore për të cilat sot pritet të vendoset nësë do të transportohen jashtë vendit për një mjekim më të specializuar. Vajzat mësohet se kanë kaluar një natë të qetë.
Një ditë më parë mjeku Sami Koçeku tha se edhe Kaltra Pollozhani mund të konsiderohet rëndë, por mbetet gjithsesi në një gjendje mjaft stabile.
Koçeku tha se Eriselda Gubere vuan nga një politraumë e mirëfilltë, ka dëmtuar rëndë shpretkën si dhe ka një veshkë unike, ndërsa Florije Peci, krahas politraumës ka edhe një frakturë të shtyllës kurrizore, e cila sipas mjekut i është fiksuar sot nëpërmjet një operacioni.
Sipas mjekut Koçeku, ka disa oferta nga klinika të huaja të cilat janë të gatshme për të pranuar vajzat, por sipas tij, mbetet problem transporti pasi në gjendjen që janë vajzat duhet një transport specifik, me avion ambulancë, sanitar.
Përmirësohet shëndeti i vajzave, 3 janë më rëndë
Kirurgu, Rasim Madani tha se në Spitalin Ushtarak janë duke u kuruar 14 vajza, nëntë prej të cilave janë në reanimacion, ndërsa 3 prej tyre në gjendje më të rënduar për jetën.
Madani u tha gazetarëve se gjendja e tyre sa vjen e stabilizohet, dhe sipas tij pritet të ketë stabilizime të mëtejshme.
Doktori tha se dy nga vajzat që janë në gjendje më të rënduar pritet të transportohen në klinika jashtë vendit për shërbim më të specializuar, gjithnjë nëse situata e tyre nuk do të ketë përmirësim.
Pesë prej vajzave të shtruara në spitalin ushtarak kanë dalë përfundimisht nga gjendja e rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
9 vajza në reanimacion. Mihja: Nën kontroll
Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës është shprehur optimist për gjendjen shëndetësore të vajzave që po mjekohen në këtë spital.
Në një deklaratë për mediat paraditen e sotme, Bedri Mihja ka deklaruar se ne spital mjekohen 14 vajza, prej te cilave ndodhen në terapi intensive 9 vajza, dy prej te cilave ne gjendje me te rende, ndërkohë që një e plagosur tjetër është operuar në Spitalin Amerikan ne Tirane.
Sot gjendja duket me më shumë shpresë. Ka dy raste që konsiderohen si problematike, por janë me parametra të stabilizuara dhe janë vlerëruar si pozitive nga dy ekipet tona. Janë duke iu bërë ekzaminimet e nevojshme dhe duke i mbajtur në terapinë intensive”- tha ai.
Sipas tij, ka pasur 5 raste më problematike ku studenteve të plagosura iu janë kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
Njëra ka pasur dëmtim shumë të madh të mëlcisë dhe u operua, ndërkohë një tjetër ka pasur dëmtim të aparatit urinar dhe iu nënshtrua edhe ajo ndërhyrjes kirurgjikale- tha ai, duke shtuar se nga ndërhyrjet që janë bërë nga mjekët tanë nuk beson se do të ketë invaliditete.
Ai ka falënderuar për gatishmërinë dhe solidaritetin e treguar për dhurimin e gjakut, duke deklaruar se ka rezerva te mjaftueshme.
“Pas orës 11:00 kanë ardhur edhe persona vip dhe janë dhuruar për grupet e tjera. Ka rezerva pasi qytetarët u solidarizuan dhuruar gjak dhe gjithashtu edhe nga strukturat tona janë sjellë 60 ushtarë që janë të gatshëm të dhurojnë gjak, tha ai.