E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu takon Metën, dhe FRD, dy ditë para hapjes së siparit presidencial

Gazeta Shqip

Ambasadori

Ambasadori SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e ka nisur javën me disa takime intensive me politikanët shqiptarë. Pasditen e djeshme, fillimisht ai është takuar me themeluesit e partisë Fryma e Re Demokratike, deputetin Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj. Takimi që ka zgjatur 40 minuta ka shërbyer për të njohur ambasadorin me synimet e kësaj force politike. Kjo ishte deklarata e ambasadorit Arvizu pas takimit. Patëm një bashkëbisedim rreth partisë së re. Është një ide mbresëlënëse. Ne dëshirojmë tu urojmë atyre më të mirën, tha ambasadori.

Ndërkohë, Partia Fryma e Re Demokratike, për këtë takim, në një njoftim për median thotë se: Gjatë takimit u bë një prezantim i objektivave kryesorë të FRD-së, frymës së re që kjo forcë synon të sjellë në skenën politike shqiptare dhe i punës së deritanishme për të organizuar degët e FRD-së kudo në Shqipëri. U shkëmbyen mendime mbi problematikën aktuale të politikës në Shqipëri, ku vëmendje mori procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit që nis pas dy ditësh. Menjëherë pas këtij takimi, ambasadori Arvizu është drejtuar për në ambientet e një restoranti në Tiranë, ku për 90 minuta takoi kreun e LSI-së, Ilir Meta. Takimi është tentuar të mbahet larg vëmendjes së medias. Ambasadori Arvizu dha këtë prononcim kur u pyet nga Top Channel se cili ishte qëllimi i takimit me zotin Meta. Ne patëm një bashkëbisedim të këndshëm. Folëm për zhvillimet më të fundit dhe proceset integruese, tha Arvizu. I pyetur nëse zgjedhja e presidentit ishte pjesë e bashkëbisedimit, ambasadori, pasi ka buzëqeshur dha këtë përgjigje të shkurtër. Më së shumti rreth integrimit europian. Nga ana e tij, Ilir Meta nuk ka preferuar të prononcohet. Javën e shkuar, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një takim edhe me liderin e opozitës, Edi Rama, me të cilin ka darkuar së bashku me bashkëshortet respektive në një nga restorantet në qendër të Tiranës. Qëndrimi i kryediplomatit të Uashingtonit në Shqipëri ka qenë i qartë, duke kërkuar zgjedhjen e një presidenti jo të njëanshëm, pasi sipas tij, nuk bëhet fjalë për ministër, por për kreun e shtetit shqiptar. Ndërkaq, në një intervistë televizive të premten e shkuar, ambasadori Arvizu deklaroi dje se nëse presidenti nuk zgjidhet me 84 vota do të ishte një shans i humbur për Shqipërinë. Unë jam përpjekur që të shmang përdorimin e termit konsensual, sepse ai nënkupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm. Dhe nëse nuk arrihet një konsensus nuk mendoj se duhet të jetë shkaku i një krize politike. Pra një proces kushtetues, kur themi këtë, janë tre raundet e para.  Dhe do ta doja shumë këtë dhe jo me vetëm 84, por pse jo, 140, do të ishte e shkëlqyer, nëse do të mund të realizohej. Nëse ata përpiqen për më të mirën e tyre, nëse ata përpiqen, besoj se mund tia dalin mbanë, nëse nuk e bëjnë, do të thotë se njëra anë apo pala tjetër nuk kanë përfituar sa duhet, pasi nëse duan, ata e zgjedhin, tha Arvizu. Sa i përket deklaratës së Kryeministrit Berisha se kandidati për president do të zgjidhet me 71 vota nga radhët e PD-së, diplomati amerikan u shpreh se mund ta kuptoj se pse ai (Kryeministri) dëshiron dikë që e beson, por edhe që mund të ndikojë. Por mendoj se ai duhet të mendojë për çështjen më të madhe. Me gjithë respektin që kam për personat që janë në kabinetin qeverisës, ky nuk është një post në kabinetin e Kryeministrit, por është një post për Presidentin e Republikës. Konsideratat që hidhen mes këtij procesi duhet të jenë konsultative. Porse cili mund të ishte qëndrimi i SHBA-së, nëse kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota? Nëse vjen puna te zgjedhja e dikujt në raundin e katërt me 71 vota dhe kjo do të bëhet në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte komuniteti ndërkombëtar apo SHBA? Nëse ajo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën, po. Por unë do ta shihja, SHBA-ja do ta shihte si një mundësi e humbur, një shans i humbur. Do të kishte pasur një mundësi që të kishim një president që kapërcen partitë politike dhe për cilën arsye ato nuk kanë qenë të gatshme për të kompletuar, për të gjetur një marrëveshje. E shoh si një mundësi, pse duhet të mos zgjidhjet, e shoh si një mundësi me 84. Një shans i humbur për të lënë mënjanë të gjithë këto interesa partiake. Do të doja që të arrihet në një marrëveshje se cili është kandidati më i mirë si president, theksoi Arvizu.

U shkëmbyen mendime mbi problematikën aktuale të politikës në Shqipëri, ku vëmendje mori procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit që nis pas dy ditësh

Për FRD:  Patëm një bashkëbisedim rreth partisë së re. Është një ide mbresëlënëse. Ne dëshirojmë ti urojmë atyre më të mirën

Për Metën:  Ne patëm një bashkëbisedim të këndshëm. Folëm për zhvillimet më të fundit dhe proceset integruese

Për presidentin: Me gjithë respektin që kam për personat që janë në kabinetin qeverisës, ky nuk është një post në kabinetin e Kryeministrit

Me Ramën

Javën e shkuar, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një takim edhe me liderin e opozitës, Edi Rama, me të cilin ka darkuar së bashku me bashkëshortet respektive

Arvizu takon Metën, dhe FRD, dy ditë para hapjes së siparit presidencial burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›