E Martë, 3 Nëntor 2026

Tre vende të NATO-s forcojnë sigurinë për shkak të luftëtarëve Wagner

Aleatët e NATO-s, të cilët janë të vendosur përgjatë frontit lindor të aleancës, po shqetësohen gjithnjë e më shumë për praninë e mercenarëve të grupit Wagner të lidhur me Rusinë në Bjellorusi, pas një rebelimi jetëshkurtër në Rusi në muajin qershor.

Polonia, Lituania dhe Letonia, anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian që kufizohen me Bjellorusinë, ishin në gatishmëri, që kur një numër i madh migrantësh dhe refugjatësh filluan të mbërrinin në kufijtë e tyre nga Bjellorusia dy vjet më parë. 

Ata e kanë akuzuar liderin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një aleat i Rusisë, për hapjen rrugë të migracionit, si pjesë e një “lufte hibride” që synon krijimin e destabilitetit në Perëndim.

Tani shqetësimet janë rritur më shumë që kur trupat e Wagner filluan të mbërrinin në Bjellorusi pas rebelimit të tyre jetëshkurtër në Rusi. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha në fundjavë se rreth 100 luftëtarë Wagner në Bjellorusi i ishin afruar kufirit me Poloninë, veçanërisht një zone të ndjeshme strategjike të njohur si Hendeku Suwalki.

“Tani situata bëhet edhe më e rrezikshme,”- u tha Morawiecki gazetarëve. 

“Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi të mëtejshëm hibrid në territorin polak.”

Një incident të martën shtoi më tej shqetësimet, kur dy helikopterë bjellorusë hynë në hapësirën ajrore polake në lartësi të ulët ndërsa kryenin stërvitje. Ministria e Mbrojtjes e Polonisë e raportoi atë incident në NATO, e cila tha të mërkurën se po monitoron situatën.

“NATO po ndjek nga afër situatën përgjatë kufijve të saj lindorë, duke përfshirë incidentin e djeshëm ku dy helikopterë ushtarakë bjellorusë kaluan për një kohë të shkurtër në hapësirën ajrore polake në lartësi të ulët”,- tha një zyrtar i NATO-s në kushte anonimiteti. 

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet polake për këtë çështje. Do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për të siguruar që i gjithë territori i Aleancës të mbetet i sigurt.”

Polonia, Lituania dhe Letonia thonë se kanë vendosur më shumë trupa dhe pajisje në kufijtë e tyre.

Guntis Pujats, kreu i Gardës Kufitare Shtetërore të Letonisë, i tha mediave letoneze të mërkurën se rreziqet e sigurisë në afërsi të kufirit të Bjellorusisë kanë qenë të larta që kur Minsku filloi të përdorë emigrantët si një mjet “lufte hibride”, por janë rritur me ardhjen e Wagner.

Ai tha se rojet kufitare kanë filluar trajnimin e një force speciale në përgjigje. Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha këtë javë se do të ishte joshëse për grupin Ëagner që të përdorte praninë e tij pranë kufirit të Lituanisë “për provokime të ndryshme”.

“Unë mendoj se kërcënimi është serioz,”- tha Nauseda gjatë një vizite të hënën në një vend në kufirin me Bjellorusinë, ku shtatë oficerë lituanez u vranë nga parashutistët sovjetikë 32 vjet më parë.

Të tjerë kanë sugjeruar se nuk duhet të mbivlerësohen aftësitë e grupit të armatosur. Laurynas Kasciunas, kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Seimas, u tha gazetarëve se mercenarët e Wagner në Bjellorusi me fuqinë e tyre aktuale luftarake nuk paraqesin një kërcënim ushtarak konvencional. 

Nëse ata përbëjnë një kërcënim të madh në të ardhmen, tha ai, “kjo do të varet nga skenarët e mëtejshëm, mënyra se si ata janë të armatosur dhe urdhrat që do u japin atyre”.

Në Poloni, disa kritikë të qeverisë besojnë se ajo po e mbivlerëson kërcënimin në mënyrë që të paraqitet si e ashpër për sigurinë përpara zgjedhjeve parlamentare të kësaj vjeshte. 

Udhëheqësi i opozitës, Donald Tusk, akuzoi partinë në pushtet se po përdor Wagnerin për të ngjallur frikë përpara zgjedhjeve, diçka që partia tjetër e ka mohuar.

Disa polakë gjithashtu fajësuan autoritetet për refuzimin që bëri fillimisht për të pranuar se helikopterët bjellorusë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë të martën. 

Në fillim, ushtria këmbënguli se avioni bjellorus nuk kishte hyrë në Poloni. Por pasi banorët vendas postuan foto në mediat sociale të avionëve me shenja bjelloruse disa kilometra larg kufirit brenda Polonisë, Ministria e Mbrojtjes nxorri një deklaratë duke thënë se ishte e vërtetë.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, tha në fillim të kësaj jave se Shtetet e Bashkuara e shohin grupin Wagner, forcat e të cilit kanë luftuar në Ukrainë dhe gjithashtu kanë vepruar në Afrikë, si një kërcënim.

“Ne kemi parë përpjekjet e tyre keqdashëse në kontinentin e Afrikës. Pra, ne sigurisht shqetësohemi se ky grup, me urdhër të qeverisë ruse, sepse ata nuk punojnë në mënyrë të pavarur nga qeveria ruse, është një kërcënim për të gjithë ne,”- u tha Thomas-Greenfield gazetarëve të hënën. 

“Ne duhet të sigurohemi që mesazhi të jetë i qartë se çdo sulm nga Grupi Ëagner do të shihet si një sulm nga qeveria ruse.”- tha ajo. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›