E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tregëtonin fishekzjarre pa leje, procedohen penalisht pronarët e tre subjekteve në Vlorë

Tre tregtarë në Vlorë u proceduan penalisht për shitje të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve.

Tre pronarët e subjekteve tregtare, të moshës, 29, 58 dhe 67 vjeç u vunë në ndjekje penale për “Tregtim dhe Transport mallrash Kontrabandë”.

Fishekzjarret u sekuestruan nga Policia e Vlorës.

Me afrimin e festave të fundvitit rritet tregëtimi i lëndëve piroteknike të cilat janë të ndaluara.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës, evidentuan 3 subjekte që tregtonin lëndë piroteknike dhe fishekzjarrë pa leje dhe, në vijim të veprimeve, nisën procedimin penal për pronarët e tyre, shtetasit F. V., 67 vjeç, E. H., 58 vjeç, dhe A. F., 29 vjeçe.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin jo vetëm tregtimin, por edhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve pa leje, duke mos rrezikuar jetën dhe sigurinë publike. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›