Tregtarët e Vlorës në protestë: Rikonstruksioni i tregut po na bllokon aktivitetin e biznesit

Tregtarët e tregut të fruta-perimeve dhe atij industrial në Vlorë kanë protestuar këtë të hënë, pasi pretendojnë se nuk po lejohen të hyjnë as në treg dhe as në dyqanet e tyre. Situata është krijuar pas nisjes së punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit.
Tregtarët shprehen se bllokimi i aktivitetit po u shkakton humbje të mëdha ekonomike, pasi kanë mallra me vlerë miliona lekë që rrezikojnë të dëmtohen. Ata thonë se fillimisht ishte vendosur që dyqanet të qëndronin hapur, pa nxjerrë mallrat në rrugë, por sot nuk është lejuar as hapja e tyre.
Më pas, tregtarët u zhvendosën drejt Bashkisë Vlorë, ku kërkuan takim me kryetaren Brunilda Mersini. Në shenjë revolte, disa prej protestuesve shtynë edhe portën kryesore të institucionit.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, është shprehur se “tregtarët janë njoftuar prej 5 muajsh për zhvendosjen e mallrave dhe lirimin e ambienteve”.
Gjatë periudhës njëvjeçare të rikonstruksionit, ata mund të përdorin një strukturë tjetër në zonën e Çoles, si edhe tregun industrial.
Tregtarët kërkojnë akses në bizneset e tyre, ndërsa paralajmërojnë vijimin e protestave nëse nuk do të ketë reagim nga autoritetet lokale.
/rtsh.al/