E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Të angazhuar për ndërtimin e një sistemi auditimi të brendshëm cilësor dhe të besueshëm

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në konferencën “Fuqizimi i Auditit të Brendshëm”, të organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm (IIA Albania), anëtar i IIA Global, ku të pranishëm ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Presidenti i IIA Global, Anthony Pugliese.

Gjatë fjalës së tij, Malaj theksoi se auditimi i brendshëm është një prej shtyllave kryesore të mirëqeverisjes, transparencës dhe integritetit financiar, duke e cilësuar si prioritet të reformës së menaxhimit financiar publik dhe pjesë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian.

Ai nënvizoi se janë ndërmarrë hapa konkretë për transformimin e rolit të audituesit të brendshëm dhe afrim me standardet më të avancuara ndërkombëtare, si hartimi i manualit të ri të auditimit, hapja e procesit të certifikimit profesional për audituesit me mbështetjen e OECD/SIGMA, si dhe përkthimi dhe adoptimi institucional i Standardeve Globale të Auditimit të Brendshëm.

Sipas tij, këto masa tregojnë qartë se Shqipëria po ndërton një sistem auditimi të bazuar në cilësi, integritet dhe besueshmëri.

Malaj shtoi se Ministria e Financave ka bërë një punë të mirë në harmonizimin e kuadrit ligjor me Bashkimin Europian, duke udhëhequr kapituj të rëndësishëm, mes tyre Kapitullin 32 për Kontrollin Financiar, i cili kërkon sisteme më efektive të kontrollit të brendshëm dhe auditim të pavarur e profesional.

 “Ne udhëheqim disa kapituj dhe ndër ta, Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar – mbetet një nga më të rëndësishmit sa i takon konsolidimit të shtetit ligjor dhe forcimit të institucioneve publike. Përmbushja e standardeve të këtij Kapitulli kërkon sisteme më efektive të kontrollit të brendshëm dhe auditim të pavarur e profesional. Kjo nuk është thjesht një kërkesë teknike e procesit të integrimit, por një domosdoshmëri për të ndërtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe për të garantuar menaxhimin më të mirë të financave publike.”

Ai e cilësoi këtë jo thjesht si një kërkesë teknike të integrimit, por si domosdoshmëri për ndërtimin e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe për menaxhimin më të mirë të financave publike.

“Një administratë moderne nuk matet vetëm nga politikat që harton, por edhe nga aftësia për të monitoruar, kontrolluar dhe përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si këto politika zbatohen.”

Malaj u shpreh se Ministria e Financave mbetet e angazhuar për ndërtimin e një sistemi auditimi të brendshëm që gëzon autoritet profesional, pavarësi funksionale dhe rol aktiv në forcimin e qeverisjes publike. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›