Tregu i punës në “Sitë” – Mbi 9 mijë inspektime gjatë 2025

Gjatë vitit 2025 janë inspektuar 9,532 subjekte, me një rritje prej 8% të vendeve të punës të verifikuara krahasuar me një vit më parë.
Mbi 50% e inspektimeve të programuara janë orientuar nga sistemi i inteligjencës artificiale MIRA. Të dhënat janë bërë të ditura në Raportin Vjetor të Inspektoriatit të Punës.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u shpreh se ligji për inspektimin në punë parashikon që rekomandimi dhe këshillimi të jenë instrumentet e para që përdor inspektorati.
“Një element thelbësor i gjithë reformës është edhe sistemi i cili duhet të bazohet në modelet e riskut. Ju keni punuar që të ndërtoni një sistem dhe të keni disa rregulla dhe module risku të cilat e vendosin Inspektoriatin në pararojë të gjithë inspektoriateve të vendeve të rajonit, por edhe të disa vendeve të Evropës.”
Sipas analizës vjetore për tregun e punës, kryeinspektori Eljo Muçaj bëri të ditur se janë realizuar në total 9,532 inspektime, duke përfshirë rreth 200 mijë vende pune. Ai theksoi se informaliteti mbetet një ndër sfidat kryesore.
“Ka rezultuar që në vitin që lamë pas 2,591 punëmarrës informal janë evidentuar në praktikat tona inspektuese, ku 98% e tyre janë formalizuar brenda procesit të inspektimit. Një tjetër problematikë është deklarimi me pagë minimale, ku vitin që lamë pas ka pasur 75% më pak punonjës të deklaruar me pagë minimale në këta 200 mijë punonjës që ne kemi inspektuar.”
Ndërkohë, numri i ankesave ka arritur në 1,179, ose 259 më shumë se një vit më parë, ku 70% janë zgjidhur në favor të punëmarrësve. Po ashtu, 82% e inspektimeve të nisura nga ankesat janë shoqëruar me masa administrative.
/rtsh.al/