Tregu imobiliar në Shkodër, krahas çmimeve, në rritje edhe numri i banesave të pashfrytëzuara

Çmimet dhe qiratë e banesave në këtë fillim viti në Shkodër kanë shënuar rritje me rreth 5–8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në varësi të zonës dhe gjendjes së pronës, çmimet variojnë nga 800 deri në 1 800 euro për metër katror.
Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e vazhdueshme e çmimeve ka orientuar kërkesën më shumë drejt zonave periferike, duke ulur interesin për blerje në qendër apo në zonat e konsideruara të luksit.
“Një apartament ekzistues që ka nevojë për rinovim në periferi mund të shitet 800-900 euro metri katror dhe kjo bën që të preferohet nga njerëzit pasi Shkodra nuk është një qytet i madh”, tha agjenti imobilar Kevin Berohiti.
Sipas agjentëve të tregut, një ndër arsyet kryesore të rritjes së çmimeve mbetet mospërputhja mes ofertës dhe kërkesës për banesa të reja
“Situata është gjithmonë në ngritje sa i përket kërkesës. Kjo si rezultat i një numri të kufizuar ndërtimesh. Ka ardhur koha që në Shkodër të ndërtohet më shumë”, tha agjenti imobilar Armando Lohja.
Paralelisht me rritjen e çmimeve, në Shkodër vihet re edhe një numër i konsiderueshëm banesash të pashfrytëzuara. Kjo situatë lidhet kryesisht me nivelin e lartë të emigracionit dhe kërkesën relativisht të ulët për qira afatgjata.
“20% e pallateve ne i shohim që janë me grila mbyllur”, tha agjenti imobilar Armando Lohja.
“Emigrantët që kanë blerë banesa dhe nuk i shfrytëzojnë me qira”, tha agjenti imobilar Kevin Berohiti.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi Censusin 2023, në shkallë qarku në Shkodër rreth 30% e banesave rezultojnë të pashfrytëzuara, shumica e tyre në pallate të reja
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/