Treguesit antikrizë dhe kritizerët e qeverisë
Para disa ditësh, një grup drejtuesish dhe specialistësh të METE, i kryesuar nga ministri Genc Ruli, ishte i ftuar nga kompania “VERBUND”, fituese e tenderit për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit të Ashtës, mbi lumin Drin, për të vizituar Universitetin Hidroteknik të Vjenës, me të cilin kjo kompani bashkëpunon prej disa vitesh, në kuadrin e aplikimit të teknikave të reja bashkëkohore, që përbëjnë një revolucion të vërtetë në teknologjinë dhe koston e ulët të ndërtimit të hidrocentraleve, me diga dhe turbina të vogëla. “VERBUND” është një ndër kompanitë më të njohura në Europë për prodhimin e energjisë elektrike, që në 15 vitet e fundit ka investuar mesatarisht në këtë sektor mbi 100 milion euro çdo vit. Aktualisht investimet e saj shtrihen deri në kontinentin e Amerikës Latine, të cilat shquhen jo vetëm për standartet e larta teknike, por edhe për modelin e shfrytëzimit të ujit pa dëmtuar ekologjinë, e cila është një kërkesë e patolerueshme e BE-së për ndërtimin e veprave energjitike në kohën e sotme. Por gjatë takimeve të zhvilluara në harkun e dy ditëve të qëndrimit në kryeqytetin austriak, ku u pa projekti i ndërtimit në miniaturë të HEC-it të Ashtës, sipas një teknologjie tepër moderne, u diskutua edhe për vështirësitë që i kanosen kësaj kompanie të njohur për shkak të kizës globale që ka përfshirë ekonominë austriake, ashtu si çdo vend tjetër të kontinetit europian, ku më të prekura duken bankat e këtyre vendeve, të cilat përbjënë mbështetjen kryesore për kryerjen e investimeve dhe zhvillimin e biznesit privat. Në takimin e fundit, në zyrat e kompanisë, përfaqësuesi i “VERBUND”, pasi përmendi “vështirësitë serioze” në zbatimin e disa projekteve të tilla energjitike në Turqi, Rumani, Maqedoni, Maltë, etj., midis të tjerash tha: “Tingëllon si paradoks, por vetëm në Shqipëri investimi ynë është i garantuar. Nuk bëj propagandë dhe nuk flas me fantazi, pasi ne vijmë për të fituar. Informacionet për treguesit ekonomikë të Shqipërisë i kemi tepër të sakta, pasi përveç të tjerash i kemi konfirmuar ato edhe nëpërmjet FMN-së, Bankës Botërore, BERZH-it, etj.” Të njëjtën konsideratë ndajnë, me sa duket, të gjithë investitorët e huaj seriozë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të sjellë kapitalet e tyre në këtë kohë krize të rëndë, të paparë ndonjëherë qysh nga Depresioni i Madh i vitit 1929. Kështu, vetëm vitin e kaluar, kur për mbarë botën ka qënë kulmi i krizës, vlera e investimeve të huaja direkte në vendin tonë i kaloi të 600 milionë eurot. Nga ana tjetër, e rëndëishme është të theksohet se këto investime u përkasin kryesisht kompanive më të njohura amerikane dhe europiane, ku kriza ka patur dhe ka efektin më të madh negativ. Në grupin e investitorëve të huaj të vendeve europiane që kanë sjellë kapitalet e tyre në Shqipëri bëjnë pjesë edhe austriakët. Pjesëmarrja e investitorëve austriak në vendin tonë është evidente, sidomos në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve, që në botë rezultojnë më të prekurit se çdo kush tjetër nga kriza. Fjala vjen, ish-Banka e Kursimeve, më e madhja bankë në Shqipëri është pronë e bankës austriake, "Raiffeisen Bank". Dy nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve: -"Unika Group Austria" dhe "Vjena" kanë blerë shumicën e aksioneve në shoqëritë e sigurimeve "Sigal" dhe "Sigma", pa pëmendur këto dhjetëra projekte për ujësjellësa, shkolla, rrugë dhe së fundmi edhe në energjitikë, të cilat mbajnë "vulën" e disa kompanive të njohura austriake. Nga ana tjetër, mos infektimi nga virusi i krizës globale i investimeve të huaja austriake në sistemin bankar shqiptar dhe shoqëritë e sigurimeve përbën një garanci për kategoritë e tjera të investitorëve të këtij vendi të zhvilluar europian në Shqipëri. Por investime të natyrës bankare në vendin tonë kanë edhe amerikanët, italianët, grekët, gjermanët, etj., të cilët gjithashtu i kanë shtuar edhe investimet e tyre në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare, madje duke blerë ndërmarrje shtetrore problematike, sikundër mund të përmendim ARMO-n dhe OSSH-në në fushën energjitike, etj. Investimet e huaja direkte për të blerë ndërmarrje të ndryshme publike, nëpërmjet procesit të privatizimit, janë nxitur kryesisht për shkak të situatës antikrizë që ekziston në Shqipëri. Dhe një gjë të tillë më shumë se kushdo tjetër e kanë dëshmuar bursat dhe sistemi bankar, të cilat në të gjithë botën kanë qënë viktima e parë e krizës globale. Ëall Street-i, fjala vjen, një nga institucionet më të mëdha financiare, u gjunjëzua nën barrën e madhe të humbjeve nga kreditë, ndërsa qeveria amerikane u detyrua të operojë me ngut për të blerë borxhet e këqia të bankave, që vetëm për një paketë arritën në vlerën e 700 miliardë dollarëve. Shumë banka falimentuan, ndërsa të tjerat ndërprenë kredidhënien duke bërë që një pjesë e mirë e bizneseve të vihen në vështirësi financiare. Viktima më e fundit e krizës në SHBA u bë këto ditë banka kombëtare “OMNI”, e cila po kërkon mbështetjen e shtetit amerikan për të zbutur pasojat negative te klientët dhe bizneset. Kriza ka shkaktuar dhe po shkakton reaksione vargore në sistemin financiar, të cilat, sipas ekonomistit të njohur George Soros, e futën gjithë sistemin në "arrest kardiak". Edhe shoqëritë e sigurimeve janë tronditur në shumë vende. Mjafton të kujtojmë se 80 për qind e aksioneve të shoqërisë së sigurimeve AIG janë blerë nga shteti amerikan. Vështirësitë e krijuara në këtë drejtim bënë që era e recesionit të ndjehet kudo. Fillimisht më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas shtatorit të të vitit ‘08, në të gjithë botën. Në shumë vende të globit ka nisur “shtetëzimi” i bankave, ku bie në sy rasti i tre bankave të njohura në Angli. Tjetër tablo paraqit sistemi bankar shqiptar. Siç dihet, kriza në sistemin bankar të SHBA-së dhe vendeve të tjera e ka zanafillën tek kriza e kredive. Bankat që kanë falimentuar ose janë nisur drejt kësaj rruge, kanë dhënë kredi mbi 120 për qind të kursimeve që kanë depozituar, ndërkohë që në Shqipëri këto shifra variojnë nga 50-60 për qind. Në këto kushte, asnjë prej bankave që operojnë në Shqipëri, nuk ka deklaruar vështirësi apo probleme në funksionimin e saj, aq më pak të kapitaleve apo të portofoleve të kredisë së keqe, të cilat të jenë bërë shqetësuese për to. Ende portofoli i kredive problematike është nën nivelin 5%, që përbën një tregues mjaft optimal. Edhe pse vitet e fundit ka pasur një rritje të shpejtë të kreditimit në raport me ekonominë reale, nga 10% që ishte në mesin e vitit ‘05, në fund të vitit të kaluar ai shkoi në 37% të PBB-së. Por në total ky nivel përbën një nivel ndërmjetësimi jo aq të fortë sa për të shkaktuar probleme shumë të mëdha në ekonominë reale. Për më tepër, në tërësinë e ndërmjetësimit bankar, kreditimi apo borxhimi i buxheteve familjare, siç e përmendëm pak më lartë, është në parametrat e 5% të PBB-së, ç'ka i bën më pak goditëse efektet e mundshme, që mund të ketë kriza botërore në sistemin financiar botëror apo edhe në ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare, në vijim të forcimit të besimit tek bankat ka marrë, së fundi, nismën për të rritur nivelin e garancisë së depozitave, nga 700 mijë në 2.5 milion lekë, duke bërë të mundur kështu që të mbulohen me garanci të plotë mbi 90% e depozitave qytetare në sistemin tonë bankar. U ndalëm pak më gjatë tek siptomat e krizës globale në sistemin bankar, shoqëritë e sigurimeve dhe sistemin financiar në përgjithësi për të treguar se ku qëndron burimi i kësaj krize. Fjala është, që po nuk pati elementë të krizës në këta sektor, atëherë s’ka sektor tjetër më të përshtatshëm se ku ajo mund të identifikohet. Më lart treguam se sistemi bankar shqiptar është i shëndoshë dhe nuk vërehen elementë të krizës globale. Ndërkohë, institucionet ndërkombëtare parashikojnë që ekonomia shqiptare do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Europë gjatë vitit në vazhdim. Nga ana tjetër, vendet më të zhvilluara europiane e mbyllën ’08-ën me një rritje ekonomike deri në 1%, kurse Shqipëria e pati këtë tregues mbi 6 për qind. Madje në 9 muajt e parë të vitit të kaluar rritja ishte dyshifrore. Për vitin në vazhdim parashikohet që ky tregues të jetë po aq i fort sa dhe një vit më parë. Por këto parashikime dhe vlerësime pozitive kundërshtohen me forcë nga kritizerët opozitarë. "Media e opozitës flet për krizën me më shumë pasion sesa poeti i famshëm persian, Omar Khajam, kur flet për dashurinë. Ne jetojmë në të njëjtin vend dhe unë nuk shoh asnjë shenjë krize", iu përgjigj kryeministri shqiptar, Sali Berisha, së fundmi, pyetjes së një gazetari; nëse Shqipëria është prekur apo jo nga kriza financiare globale. Nga ana tjetër, politikanët e majtë të të gjitha krahëve paralajmërojnë se, politika e mohimit të vështirësive ekonomike është po aq e rrezikshme sa vetë kriza. Ata thonë se vendi po varfërohet çdo ditë dhe se volumi i tregtisë së jashtme do të bjerë ndjeshëm. Por, përveç qeverisë, opinionet majtiste për prezencën e krizës globale në vendin tonë po kundërshtohen ashpër edhe nga komuniteti i biznesit. "Shqipëria është shumë pak e prekur nga kriza", thotë Philip Bay, president i Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë. "Për këtë vit, slogani ynë duhet të jetë: “Për çfarë recesioni po flisni?!...” Në këtë mënyrë, ata që flasin për krizë në Shqipëri, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i hidhin benzinë zjarrit të panikut qytetar. Si rezultat i një fenomeni të tillë, vetëm në muajt e fundit të vitit të kaluar dolën nga bankat rreth 60 miliardë lekë, sepse zëra të ndryshëm nga e majta përhapën panik për rënie në krizë të ekonomisë shqiptare. Por këto para që dolën nga bankat ishin fonde kredie për bizneset dhe individët. Kjo është arsyeja që Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ankohet sot për mosshitjen e 4 mijë apartamenteve të ndërtuara në kryeqytet. Përdorimi për qëllime politike i krizës globale nga opozita shqiptare është abuzimi më i madh që mund të bëhet prej saj në këto momente. Duke iu referuar së shkuarës së afërt të popullit tonë në vitet e demokracisë gjenden mjaft shembuj ku si rezultat i panikut të krijuar nga të majtët kanë ndodhur tragjedi të vërteta, duke filluar nga ajo e Fushë Arrëzit e duke përfunduar tek ngjarjet e ’97-ës. Qeveria “Berisha” i ka paraprirë kësaj situate duke ndërtuar politika favorizuese për investimet e huaj, binzesin dhe rritjen e pagave apo pensioneve. Për sa i takon politikës së taksave mjafton të përmendim se, Shqipëria është ndër vendet me taksat më të ulëta dhe nuk ka më hapësira për veprime të reja në fushën fiskale. Ne jemi në nivelin e taksës së sheshtë prej 10%, ku taksën korporative e kemi 10%, tatimi mbi të ardhurat 10%, tatimi mbi dividentin është 12% , dhe ka një masë të programuar që fillon më 1 maj, për të ulur taksën e punës, nga 20% që është sot, në 15%. Kjo përbën po ashtu një nismë tjetër të re, për të mos dekurajuar punësimin e mëtejshëm. Janë ndërmarrë disa politika specifike në kompanitë dhe në aktivitetet ekonomike të eksportit, për rimbursimin automatik të tatimit të vlerës së shtuar sikurse dhe në sektorin e ndërtimit përmes një nxitjeje të kreditimit, duke marrë përsipër interesat nga buxheti i shtetit për disa kategori shoqërore, për rreth 5-6 mijë apartamente, ç'ka do t'i jepte sektorit të ndërtimit një impuls i ri për të vijuar ritmin e lartë të zhvillimit të tij. Pra, në fushën fiskale është bërë kujdes për të minimizuar çdo rrezik që mund të vijë nga impaktimi i krizës globale. Shërbimi i borxhit publik përbën gjithashtu një preokupim kryesor të qeverisë, ndaj ky tregues përbën vetën 54% të PBB-së. Ajo që është për t'u evidentuar lidhet me faktin që rreth 40% e këtij borxhi ka të bëjë me nivelin e borxhit të huaj, ndërsa pjesa tjetër është borxh i brendshëm në monedhë vendase. Për më tepër, në borxhin e huaj bëjnë pjesë kredi të marra nga bankat e zhvillimit me interesa të buta dhe me afate tepër të gjata për t'i paguar. Pra, është një portofol i përshtatshëm dhe jo problematik për fazën në të cilën ndodhemi dhe që lidhet me risqet e kursit të këmbimit.Viti ‘09, do të jetë një vit me defiçit më të ulët krahasuar me një vit më parë, me rreth 1.5 pikë përqindjeje. Risqet e të ardhurave në buxhet mbetën dhe konsiderohen nga ana e qeverisë. Tremujori i parë i këtij viti dëshmon për një rritje të të ardhurave në masën 10% në krahasim me një vit më parë dhe një ngadalësim të lehtë me ritmin mesatar trevjeçar, që lidhet më shumë me faktin që çmimet ndërkombëtare të importit kanë rënë dhe në këto kushte Shqipëria, duke qenë një vend importues neto, impaktohet në të ardhurat buxhetore me rënien sidomos të çmimeve të karburanteve, të ushqimeve, të hekurit, të drithërave, etj. Por, të gjitha këto përkthehen, në fund të fundit, në një kosto më të ulët të jetesës në buxhetet familjare dhe në një kosto më të ulët për aktivitetet prodhuese. Pa e tepëruar më tej me tregues të tillë antikrizë mjafton të përmednim faktin se, profilaksia e vetme e ekonomisë shqiptare ka qënë zhvillimi i saj me ritme të larta. Nga ana tjetër, kjo është një eksperiencë e njohur ndërkombëtare. Faktet tregojnë se ekonomitë më të paprekuara nga kriza e sotme globale janë ato të Kinës, Indisë, Brazilit, etj., që treguesin e rritjes ekonomike e kanë mbi 7-8 për qind. Me këtë performacë rritjeje është paraqitur gjatë vitit të kaluar e në vazhdim edhe ekonomia shqiptare, pas ndërmarrjes së reformash të pandërprera trevjeçare, sidomos në drejtim të sistemit fiskal dhe luftës ndaj korrupsionit të trashëguar nga qeverisjet majtiste. Sidoqoftë tregues të tillë nuk do të thotë që të flihet mbi dafina. Ekonomia shqiptare është pjesë e ekonomisë botërore. Pjesën më të madhe në shkëmbimet tona tregtare e zë Italia, Greqia dhe Gjermania, të cilat janë në krizë. Nga ana tjetër, bankat tona janë private dhe "nënat" e tyre në Itali, Austri dhe Greqi gjenden në kolaps. Megjithatë, tjetër gjë është vigjilenca që duhet treguar në këtë drejtim dhe tjetër gjë thirrjet destabilizuese të opozitës për panik, me qëllim që të përfitojë politikisht nga rrëmuja si ujku në mjegull.
...