Brenda vitit 2009, heqja e vizave për të gjithë shqiptarët
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Çeki dhe ka konfirmuar për publikun vullnetin e Unionit për nisjen e procesit të heqjes së regjimit të vizave me vendet e zonës Shengen, brenda fundit të këtij viti. Mirëkuptim edhe për paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në BE, brenda qershorit 2009
TIRANE – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha ka marrë edhe njëherë mbështetjen e ministrave të Jashtëm të BE, për aplikimin për statusin kandidat për në BE.
Këtë garanci Ministri Basha e ka marrë në takimin informal të ministrave të Jashtëm të BE dhe Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Çeki.
Në këtë takim, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare në Bashkimin Evropian u shprehën optimistë për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2009.
Një risi në këtë takim ishte edhe pjesëmarrja për herë të parë në tryezë, e ministrit të Jashtëm kosovar Skënder Hyseni.
Ndërkohë në këtë takim i vendos që Bashkimi Evropian do ti japë rreth 250 milionë euro ndihmë për vendet e Ballkanit Perëndimor kundër efekteve të krizës globale.
Liberalizmi i vizave
Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme, mësohet se, Ministri Lulzim Basha mori pjesë në Takimin Informal të Ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvilloi punimet një ditë më parë në Çeki. Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e proceseve të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, procesin e liberalizimit të vizave, situatën ekonomike dhe mbështetjen financiare që Komisioni Evropian do të japë në këtë drejtim, si dhe mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
“Mbështetur në të dhënat paraprake të misioneve faktmbledhëse, përfaqësuesit e Presidencës, të vendeve anëtare dhe Komisionit shprehën optimizëm të matur për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009”, nënvizoi Basha.
Ndërkohë, Ministrat e Punëve të Jashtme të pranishëm në këtë takim diskutuan edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike.
Duke rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në Axhendën e Selanikut, Ministrat e Jashtëm të BE-së shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe e konsideruan integrimin e tij të plotë në Union, si vital për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe vetë Evropës.
Në këtë kontekst, duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që Ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me Zëvendëskryeministrin çek, Aleksandër Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150-250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vlerësimet e Shqipërisë
Ministri Basha falënderoi Presidencën çeke për vendosjen e Ballkanit Perëndimor dhe të proceseve integruese të tij, si prioritete të aktivitetit të saj në këto 6 muaj. Ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për të gjitha vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e MSA-së.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyn në fuqi më 1 prill, vuri në dukje Ministri Basha, dhe në të njëjtën javë Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Në këtë mënyrë, theksoi Ministri Basha, zgjerohet më tej zona e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria është e vendosur të vijojë rolin e saj konstruktiv në rajon, si një faktor moderimi, stabiliteti, dialogu e tolerance. Ajo mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal e do të vazhdojë të kontribuojë në projektin evropian e euro-atlantik të rajonit me të gjitha mjetet e mënyrat”, vijoi më tej Ministri Basha.
Kreu i Diplomacisë shqiptare, vlerësoi se përshpejtimi i sforcuar i procesit të integrimit europian nuk i shërben as vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe as vetë procesit.
Nga ana tjetër, Ministri Basha vlerësoi se, “ngadalësimi artificial i tij mbart rreziqe jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon. Shqipëria beson në ecjen e natyrshme përpara në procesin e integrimit evropian të rajonit, mbështetur në meritat dhe performancën individuale të çdo vendi. Ne mbetemi të vendosur të koordinojmë me Presidencën Çeke, vendet anëtare dhe Komisionin Evropian, hapat e mëtejshëm për avancimin e integrimit evropian të vendit”, u shpreh Basha.