E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça vazhdon kryesimin

Trepça ka arritur ta mposhtë Kosovën në Vushtrri dhe të shkëputet në krye të tabelës me 6 pikë më shumë sesa KEK’u që u mund në Gjilan. Vëllaznimi ka shënuar fitore të rëndësishme përballë Besës, derisa Ferizaj i është afruar zonës së rrezikut pas humbjes nga Liria. Hysi ka shënuar fitore si mysafire e Flamurtarit.

Kosova (V) – Trepça 1:2

Trepça ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire e Kosovës së Vushtrrisë me rezultat 1:2, në ndeshjen derbi të xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në futboll. Xehetarët ia dolën të kalojnë në epërsi prej 0:1 në minutën e 14, me golin që e ka shënuar Samir Sahiti me një gjuajtje të fortë.

Por, pas këtij goli të pësuar, Kosova (V) me të gjitha forcat filloi të sulmojë për t’i barazuar shifrat në 1:1. Pas një dominimi të plotë, vushtrriasit e arritën qëllimin në sekondat e fundit të pjesës së parë, kur Armend Zabërxha shënoi gol për rezultat 1:1. Vushtrriasit furishëm e nisën edhe në pjesën e dytë, por ritmi i lojës së tyre secilën herë binte më shumë.

Këtë e shfrytëzoi Trepça, e cila në minutën e 82-të të ndeshjes, nëpërmjet Liridon Ahmetit, shënoi gol për rezultat përfundimtar, 1:2. Me këtë fitore, mitrovicasit janë shkëputur në gjashtë pikë prej ndjekësit të parë KEK-ut, derisa kjo disfatë ua ka vështirësuar edhe më tej punët vushtrriasve për të mbijetuar.

Vëllaznimi – Besa 1:0

Vëllaznimi e ka shfrytëzuar mirë terrenin e saj për ta mposhtur Besën e Pejës, me rezultat minimal, 1:0. Gjakovarët e kanë shënuar golin e vetëm dhe të fitores përballë pejanëve në minutën e 52-të nëpërmjet Atdhe Gashit. Kjo fitore, dhe disfata e Kosovës (V) nga Trepça, i ka rritur gjasat për Vëllaznimin që të mbesë në Superligë. Kurse, Besa me humbjen që e pësoi nga Vëllaznimi, ka mbetur tetë pikë mbrapa liderit Trepça.

Flamurtari – Hysi 1:2

Hysi e ka shënuar fitoren e dytë rresht, pasi e ka mposhtur si mysafir Flamurtarin me rezultat 1:2. Bardhezinjtë kanë kaluar në avantazh prej 0:1 në minutën e 26 të takimit, me golin që e ka shënuar Mentor Zhdrella. Flamurtari ia doli t’i barazojë shifrat në 1:1 në minutën e 50, me golin që e shënoi Artan Gashi me kokë, pas harkimit të Milaim Humollit. Megjithatë, Hysi i fitoi të tria pikët nga kjo përballje, falë golit që e shënoi Zhdrella nga penalltia, në minutën e 78 të ndeshjes.

Gjilani – KEK 2:1

Gjilani ia doli ta mposhtë KEK-un me rezultat 2:1, për t’i mbajtur ende gjallë shpresat për mbijetesë. Ekipi vjollcë ka kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e 20, me golin që e shënoi Chioke nga penalltia. Elektricistët ia dolën t’i barazojnë shifrat në 1:1 në minutën e 59, me golin që e ka realizuar Festim Krasniqi. Pak minuta më vonë, Liridon Hasani ia doli të shënojë golin për rezultat përfundimtar, Gjilani – KEK-u 2:1. Por kjo fitore e gjilanasve ka mundur të jetë edhe më bindëse, sepse shumë raste të mira për shënim i ka evituar portieri i KEK-ut, Besart Blakqori.

Lira – Ferizaj 2:0

Ferizaj tani është shumë afër të përfshihet seriozisht në luftë për mbijetesë, pasi u mposht në Prizren nga Liria me rezultat 2:0. Bardhezinjtë kanë kaluar në avantazh prej 1:0, në minutën e 57 të takimit me golin që e ka shënuar me kokë, Rafet Mullallari. Pak minuta më vonë, Lira e shtoi epërsinë e saj ndaj Ferizajt në 2:0 me golin që e realizoi sulmuesi i rrezikshëm, Fatih Karahoda.

Tabela
1. Trepça 26 15 47
2. KEK-u 26 16 41
3. Hysi 26 10 40
4. Liria 26 6 40
5. Besa 26 9 39
6. Flamurtari 26 3 39
7. Prishtina 26 2 39
8. Drenica 26 -12 36
9. Ferizaj 26 -5 31
10. Vëllaznimi 26 -11 28
11. Kosova (V)26 -14 25
12. Gjilani 26 -16 24

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›