E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrjet koti të “KosovaFilm”

Dikur produksioni filmik me përmasa të mëdha. Sot vetëm një zyrë e thjeshtë e cila është në kërkim të asaj që i ka takuar.
Është fjala për “KosovaFilm”.

Më shumë se 35 negative origjinale të filmave dhe dokumentarë të kësaj kompanie filmike tash e 11 vjet gjenden në Serbi.

Deri sot ka pasur vetëm “llafe” brenda Ministrisë së Kulturës, UNMIK por tash edhe EULEX por asnjë nga këto negativë filmikë nuk janë kthyer në Kosovë.

“Ministria e Kulturës i ka 5 kopje të pronës tonë që e kemi në Beograd. Madje kemi diskutuar disa herë me ta dhe ka qenë një këshill i Ministrisë për kthimin e trashëgimisë nga Beogradi”, tregon Gani Mehmetaj, drejtues i KosovaFilm.

Mehmetaj thotë se kërkesa e tyre ka mbetur në nivelin e gjitha problemeve të tjera që lidhen me trashëgiminë kulturore. Çështja e negativëve të filmave të KosovaFilm është e lidhur ngushtë edhe me më shumë se një mijë artefakte që janë në Beograd.

Për 11 vjet vetëm një artefakt është kthyer në Kosovë dhe ajo është “Hyjnesha në Fron”.

A ka bërë Ministria e Kulturës më shumë shtypje tek EULEX të fillohet një lloj negociate për këtë punë?

“Jo nuk ka bërë. Nuk kam informacione të sakta por nuk ka bërë sepse ne kemi qenë në kontakt me njerëz të Ministrisë por jo me ministrin drejtpërdrejt”, tha Mehmetaj.
Mehmetaj thotë se Eulex duhet të bëjë më shumë shtypje në drejtim të Serbisë ndërsa ai është i mendimit se UNMIK ka bërë më shumë rreth kësaj çështje.

“Kur ka qenë UNMIK kanë qenë shumë më energjik në kthimin e tyre sidomos në kohën e Brajshorit. Ndërsa më vonë nuk është bërë shumë sepse edhe unë kam qenë në këshillin e trashëgimisë”, tha Mehmetaj për Express. Se cila është vlera e këtyre shiritave Mehmetaj e ka vështirë ta thotë. Por duket se as vetë Kosova film nuk ka qenë energjik në kontaktet e tyre me Arkivin Filmik në Serbi.

Pse ju vet nuk keni provuar?

“Jo nuk kemi pasur. Edhe kur kemi provuar përmes UNMIK nuk ka pasur ndonjë gatishmëri. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të provojmë në të ardhmen. Kjo është çështje paksa politike dhe se duhet të shkohet përmes këshillit e jo në mënyrë individuale”, tha Mehmetaj.

Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë e Kulturës mirëpo për shkak të ndryshimit të stafit të kësaj Ministrie ka qenë e pamundur të merret ndonjë përgjigje rreth këtij problemi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›