Tri cilësi që e bëjnë Kerry-n një kandidat të përshtatshëm për funksionin e Sekretarit Amerikan të Shtetit
Nga David Ignatius
(Uashington Post)
Si do të ishte senatori John Kerry si Sekretar Shteti? Kjo është pyetja e momentit pas vendimit të papritur të ambasadores së OKB-së, Susan Rice, të enjten për të tërhequr emrin e saj nga kandidimi, duke e bërë që kandidati i mundshëm të bëhet Kerry.
Kerry është një figurë e njohur në Amerikë dhe në botë. Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për gati tre dekada. Fakti se Kerry është i njohur, me një personalitet të parashikueshëm, të besueshëm, është një nga pikat e forta të tij.
Tri cilësi e bëjnë Kerry-n një kandidat të përshtatshëm në këtë moment.
Së pari, ai pranon se bota është “rrëmujë”, duke filluar me vendet kaotike arabe, dhe se ajo ka nevojë për udhëheqje diplomatike të fortë amerikane. Kur revolucionet arabe filluan në vitin 2011, Presidenti Obama vendosi me të drejtë të mos përpiqet të përmbajë shpërthimin. Por ne jemi duke hyrë në një periudhë të re, kur arabët kanë nevojë për më shumë ndihmë nga SHBA-të në konsolidimin e tyre. Kerry, i cili ka udhëtuar një kohë të mjaftueshme në Lindjen e Mesme, sa për t”u afeksionuar vërtetë me rajonin, do të jetë një partner i mirë për transformimin arab. Së dyti, Kerry vlerëson rëndësinë e “diplomacisë së butë”, sidomos tani. Për të ecur më tej me ndërmjetësimin e tranzicionit politik sirian, për të gjetur mundësi negocimi me Iranin dhe për të vlerësuar perspektivat e bisedimeve mbi paqen izraelo-palestineze, Obamës do t’i duhet një emisar ku mund të besojë. Kerry e ka kryer me sukses këtë detyrë, në Afganistan dhe Pakistan. Është e vështirë për një sekretar shteti të veprojë në "mënyrë të qetë", por Kerry mendon se kjo është e rëndësishme tani.
Së treti, ndërsa Kerry ndonjëherë duket për të gjithë si i ngurtë, ai është çuditërisht i gatshëm për të sfiduar urtësinë konvencionale, sidomos në lidhje me angazhimin e kundërshtarëve të Amerikës. Kjo karakteristikë e tij është një avantazh, edhe për shkak se nuk është një karakteristikë shumë e ekspozuar e tij: Me sjelljen e tij flegmatike, Kerry do ta ketë më të lehtë për të shfrytëzuar mundësitë diplomatike në krahasim me kandidatët e tjerë potencialë, sidomos ata të rinjtë, me pak përvojë si Rice. Dobësia e Kerry-it është se, si Hillari Klinton, i mungon një marrëdhënie e ngushtë personale me Obamën. Për të kuptuar përfitimet e të qenit një mik i ngushtë presidencial, kini parasysh administratën e Xhorxh W. Bush. Kolin Pauell ishte një ushtar i shquar me përvojë, por ai nuk mundi të përfaqësonte presidentin me të njëjtin autoritet si pasuesja e tij, Kondoliza Rajs, e cili ishte syri dhe veshi i Bushit. Nëse Obama bën atë që burime nga Shtëpia e Bardhë parashikojnë dhe propozon Kerry-n për Sekretar Shteti, ata të dy do të duhet të krijojnë një raport më të mirë. Thashetheme nga Uashingtoni thonë se Obama nganjëherë e ka gjetur Kerry-n mjaft të lodhur gjatë orëve të përgatitjes së debateve kur Kerry ishte në vendin e Mitt Romney. Ndoshta Obama dhe Kerry duhet të luajnë basketboll së bashku, ose të shkojnë të bëjnë serf, apo thjesht dalin për një birrë. Gjatë javëve të fundit, kam pyetur ekspertë të politikës së jashtme dhe diplomatë të huaj se cilin mbështesin për Sekretar Shteti. Me përjashtim të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe pak diplomatëve, sondazhi im tregoi se Kerry është favoriti kryesor. Pjesërisht kjo reflekton besimin që kanë tek Kerry dhe pjesërisht tregon skepticizmin ndaj Rajs, e cila është më pak e njohur dhe ka bërë disa armiq. Këto komente mund të kenë reflektuar në tendencën kundër Rajs, por duhet thënë edhe se ekziston një besim gati-gati naiv ndaj Kerry-it. Letra e tërheqjes së Rice nga kandidimi i saj ishte mjaft e hapur. Fushata republikane kundër saj, që u përqendrua në rolin e saj si zëdhënës e administratës në lidhje me sulmin së konsullatës në Bengazi, ishte, siç shprehet ajo, një “shpërqendrim i papërgjegjshëm”. Ajo ka të drejtë kur thotë se kjo mund të krijonte një konflikt të thellë, shkatërrues dhe të kushtueshëm. Prandaj bëri diçka që Uashingtoni nuk e kishte menduar; vuri vendin e saj në vend të parë dhe u tërhoq mënjanë. Ndoshta gjëja më e mirë në lidhje me Kerry-n është se ai është i sigurt. Ndonjëherë ia vlen të zgjedhësh një kandidat të vlerësuar por me të cilin mund të rrezikosh, siç ishte Rice. Por ky nuk është një nga ato momente. Bota është e pasigurt; Miqtë dhe kundërshtarët e Amerikës kanë nevojë të kthejnë në kujtesë pushtetin dhe këmbënguljen që ajo (Amerika) ka. Para saj ndodhen perspektivat e diplomacisë intensive me Iranin, Sirinë, Egjiptin, Rusinë, Izraelin dhe Palestinën. Një politikan si Kerry rrallë mund të dalë një dështim total. Ngathtësia që shumë vunë re kur ai ishte kandidati demokrat për president në vitin 2004 është zhdukur tërësisht, ai ka avantazhin që është i zhgënjyer në jetë, duke humbur garën presidenciale, duke u mënjanuar për nënkryetar dhe sekretar i shtetit në vitin 2008. Tani ai dëshiron të drejtojë Departamentin e Shtetit, jo vetëm në kuptimin që një person ambicioz dëshiron një tjetër trofe në jetë, por për shkak se ai mendon se mund të bëjë një punë të mirë. Kjo mund të duket një zgjedhje konvencionale për shtetin, por mund të ndodhë që ai të jetë mjaft i suksesshëm.