E Diel, 1 Nëntor 2026

PD në zgjedhje me aleancën më të gjerë në histori

18-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë se do t’i qëndronte kredos së tij politike për t’u paraqitur edhe në zgjedhjet e 23 qershorit me aleancën më të gjerë në histori, si një lëvizje e shekullit 21, e cila do të rrëzojë murin bllokues të pinjollëve të nomenklaturës
Berisha: Të tre institucionet e vendimmarrjes së BE kanë qëndrim identik: “Votoni ligjet për të marrë statusin”

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje bashkëbisedimin e zakonshëm me gazetarët, të kthyer tashmë në një traditë të përmuajshme. Kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjeve rreth aktualitetit politik ku vlen të veçohen çështje të tilla si integrimi i vendit në BE, përgatitja për në zgjedhjet e qershorit 2013-ë, rezoluta çame, shtetësia për shqiptarët, problemet e drejtësisë, çështja e taksave etj. Kryeministri deklaroi para mediave se Partia Demokratike po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleancën më të madhe në histori. Ndërsa funksionimin e koalicionit qeveritar e cilësoi solid dhe të shëndetshëm, drejt përmbushjes së premtimeve me synim zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin evropian. Në këtë pikë, kryeministri tha se vendi do marrë statusin e kandidatit, pasi të jenë miratuar 3 kushtet e Komisionit Evropian gjë për të cilën duhet konsensusi i PS. I pyetur për rezolutën çame të paraqitur në kuvend nga PDIU, kryeministri Berisha tha se çdo amendament në parlament do shqyrtohet në përputhje me procedurat, pa asnjë lloj forme presioni. Kryeministri komentoi dhe debatet e ditëve të fundit lidhur me shtetësinë shqiptare. Sipas kryeministrit, shtetësia nuk do prishë ekuilibrat e demografisë, ndërsa shqetësimi i opozitës është frika e votave, pavarësisht se, shqiptarët do ta marrin shtetësinë pas zgjedhjeve. Duke u ndalur te premtimet e lidershipit socialist për heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe rritjen e punësimit, Berisha tha se janë premtime sipas skemës tipike të socializmit komunist që e çoi vendin drejt mjerimit ekstrem. Sipas tij, Rama rrënoi kryeqytetin duke rritur taksat për bizneset, rriti papunësinë dhe e la infrastrukturën në gjendje të mjerueshme. Gjithashtu, shefi i ekzekutivit akuzoi edhe ish dy drejtuesit të KLD-së, Bamir Topin dhe Kreshnik Spahiun. Berisha i akuzoi se kanë shpërndarë trofetë ndaj çështjes së Ilir Xhakjas, pasi ishin ata që i jepnin udhëzime gjyqtarit që e liroi nga burgu.

Deklaratat e forta gjatë bashkëbisedimit të kryeministrit Sali Berisha me gazetarët
- PD e ngriti çështjen çame që në ’91, rezoluta do shqyrtohet konform procedurave
- Albanofobia, faktor kërcënues për paqen dhe stabilitetin në rajon – kemi humbur shumë territore, por s’do humbasim më asnjë metër katror
- Projekti evropian, projekti që realizon bashkimin e shqiptarëve si një komb

Z.Berisha, kryetari i opozitës herë pas here ka përsëritur se me të ardhur në pushtet do të heqë taksat e biznesit të vogël. Cili është komenti juaj?
Premtimi i kryetarit të PS-së për heqjen e taksës për biznesin e vogël është premtimi i një politikani unik në Evropë e në botë që u thotë shqiptarëve se opozita do të kërkojë që borxhi të mbahet nga Banka e Shtetit dhe të llogaritet si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe Haçek e kushdo do të mund të binte përtokë së qeshuri, kur dëgjon një deklaratë të tillë. Nga ky zotëri, që shkëlqen me këto koncepte për satirat më të mira, mund të presësh çdo lloj deklarate. Dy ditë më parë e dëgjoja teksa thoshte: ne socialistët do të sjellim rritjen nëpërmjet punësimit. Të dashur miq, kjo është skema tipike e socializmit, i cili kaloi në të gjitha rrathët e varfërisë njerëzore gjer në mjerimin ekstrem. Por ku e bazon zoti Rama këtë? Ai ka jo vetëm një trashëgimi reale, por edhe një praktikë të tijën. Kur qeveria e Sali Berishës, me të dhënat më të sakta, i trefishoi buxhetin bashkisë së Tiranës, zoti Rama përcaktoi punësimin si rrugën e rritjes së bashkisë dhe arriti në 5200 punonjës në bordero, duke marrë të gjithë 99-shat, ku ishin e ku nuk ishin, të cilët nuk kishin bërë një ditë punë në jetën e tyre dhe i punësoi në bashki. Sot, qytetarët e Tiranës kanë 460 kilometra rrugë jo të mira, nga të cilat 260 kilometra të paasfaltuara. Në qoftë se shkoni në Xhafzotaj dhe ju garantoj edhe në shumë komuna të tjera, ku nuk gjeni një kilometër rrugë të paasfaltuar dhe të shikoni lagjet e Tiranës, e kuptoni si e rriti punësimin kryetari, duke rrënuar qytetin. Nga ky zotëri, që u thotë shqiptarëve se opozita do të kërkojë që Banka e Shtetit të llogarisë borxhin publik e ta përllogarisë atë si përqindje të GDP-së, mund të presësh çdo lloj deklarate pakuptim. Sa ishte kryetar bashkie, siç po faktohet në mënyrën më të sigurt, ai i rriti taksat jo 30 përqind sa parashikonte mundësia ligjore, por i rriti nga 67 mijë në 148 mijë, pra 120 përqind, çka na detyroi ta bëjmë me ligj që të mos lejohet rritje të tyre më shumë se 10 përqind. Dhe këtë e shoqëron me taksën Koleka. Po çfarë është taksa progresive? Ajo është taksa famëkeqe, të cilën e instaloi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1946, daja i tij, dhe unë ju garantoj se po të hetoni në arkiv do të gjeni se ky është edhe autori kryesor i ligjit të tatimit të jashtëzakonshëm. Biznesi ka pasur e ka tek kjo qeveri mikun dhe mbështetësin më të fuqishëm. Bizneset, në tërësi, janë rritur mbi 2.5 herë. Por zoti Rama ka disa vështirësi. Unë vij nga shkencat biologjike dhe nuk kam tendencë të shkoj në doktrinat e rinisë sime, por më duken si të lindura disa vështirësi të tij në matematike. Nuk mund të them ndryshe. Zoti Rama ka disa vështirësi të pabesueshme në matematikë. Vazhdon të thotë një milionë shqiptarë të papunë, edhe pse tre njerëz të tij të afërm e kundërshtojnë këtë dhe i thonë se nuk është kjo - sepse ata shkojnë e marrin të dhënat. Ai e lë një muaj mënjanë dhe i rikthehet sërish. Ky zotëri ka një problem të lindur me shifrat e matematikën, por, në një farë mënyrë, perëndia që i ka të gjitha fuqitë ia ka kompensuar me bojërat. Na e leu qytetin dhe bëri mirë, por nuk bëri gjë tjetër dhe iku.

Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi, njëherësh aleat i qeverisë suaj, i ka kërkuar deputetëve të miratojnë rezolutën çame. Por ndërkohë në axhendën e punimeve të Kuvendit nuk është parashikuar diskutimi i çështjes çame. Cili është qëndrimi i grupit tuja parlamentar në lidhje me këtë?
Çdo dokument që dorëzohet në parlament shqyrtohet në përputhje me procedurat e parlamentit. Natyrisht, duhet të them se kjo nuk bëhet nga një mazhorancë, por, në tërësi, nga asnjë forcë politike nën asnjë lloj forme presioni. Dua të theksoj se çështjen çame, së bashku me mikun tim, të ndjerin Gramoz Pashko e në mos gaboj dy bashkëpunëtorët tonë, e kemi ngritur për herë të parë në janar të vitit 1991, kur Kryeministri i Greqisë Kostantin Micotaqis u bë edhe kryeministri i parë i një vendi të lirë që takoi opozitën shqiptare. Ai na ftoi në takim në hotel Dajti dhe në atë takim, një ndër problemet që ne shtruam ishte problemi çam. Aq sa ish Kryeministri Micotaqis na u përgjigj se këtë çështje nuk na e ngriti Ramiz Alia. I thamë se ne kemi çështjen kombëtare, ai ka çështjen gjeologjike. Ky është dallimi mes nesh dhe atij. Kjo çështje është ngritur në të gjitha takimet, pa përjashtim, në qeveri apo opozitë, nga kryetari i Partisë Demokratike, me autoritetet më të larta të vendit mik, me të cilët është takuar. Kjo çështje, pas diskutimit të saj në një seri takimesh, në të cilat Shqipëria ka bërë, e bën të qartë se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Greqisë - kjo është jashtë çdo lloj konteksti - në Traktatin e Miqësisë së firmosur në vitin ’95, nga unë si President i Republikës dhe Presidentit Stefanopulos të Republikës Helenike, ka një klauzolë, në të cilën çështjet e pronësisë së shqiptarëve në Greqi, pasi nuk janë vetëm çamë dhe të grekëve në Shqipëri, janë çështje teknike dhe do të zgjidhen mbi bazën e këtyre procedurave. Për fat të keq, më pas kjo çështje mbeti në vend numëro. Duhet të krijoheshin komisionet dhe në atë kohë, ne ramë dakord që të dy palët të ulen, të diskutojnë dhe të krijojnë komisionet. Problemi nuk ka marrë zgjidhje. Në një periudhë të caktuar pretendohej se çamët ishin kolaboracionistë dhe kjo ishte një akuzë monstruoze, e cila u bë vetëm e vetëm për të justifikuar spastrimin e tyre etnik nga hordhitë e bandat e Zervas, nga trojet e tyre shekullore. Ndaj duhej justifikimi, edhe pse ata kishin qenë luftëtarë nga më të shkëlqyerit në njësitë partizane të Shqipërisë dhe të Greqisë. Unë e vlerësoj qëndrimin e gjykatës së Janinës që hodhi poshtë këtë shpifje ndaj popullatës çame. Jo, ata kishin qenë luftëtarë që kishin luftuar për lirinë dhe kundër pushtimit. Pra, nuk ka asnjë problem territorial midis dy vendeve. Ka një Traktat Miqësie, në të cilin ato njohin kufijtë respektivë. Aleati im ka paraqitur një rezolutë, e cila edhe po të mos ishte paraqitur nga zoti Idrizi, do të shqyrtohej. Për këtë nuk ka diskutim. Parlamenti është një institucion që ka komisione, ka komision të jashtëm e komisione të tjera dhe do të shqyrtojë e vlerësojë rezolutën, mbi bazën e këtij qëndrimi të mazhorancës ndaj kësaj çështjeje. Është mazhoranca e Partisë Demokratike që ka kaluar një ligj në parlament dhe disa veprime të tjera. Ndaj pa ndonjë formë presioni nga askush, ne shqyrtojmë në parlament, çdo dokument të paraqitur.

Pyetja ka të bëjë me rritjen e shqetësimit të ndërkombëtarëve për rritjen e toneve nacionaliste në Shqipëri dhe veçoj deklaratën e ambasadorit Arvizu, i cili ju bën thirrje që të tërhiqeni nga rritja e këtyre deklaratave si një lojë e rrezikshme, si dhe një rezolutë e Parlamentit Evropian, i cili ka miratuar një deklaratë zyrtare, ku i kërkon Tiranës zyrtare dhe shpreh shqetësimin për rritjen e këtyre toneve...
Kjo që thoni është një e pavërtetë e madhe. Nuk jam këtu, për të komentuar deklaratat e zotit Arvizu dhe nuk më keni dëgjuar ndonjëherë të komentoj deklarata të ambasadorëve, por mund të them se deklaratat e mia kanë qenë e janë në tërësinë e tyre një ri-përsëritje e qëndrimeve të mia. Absolutisht janë një ri-përsëritje e qëndrimeve të mia. Në rast se i kthesh festimeve tre vjet më parë, me rastin e Lidhjes së Prizrenit, do të gjesh të njëjtën deklaratë. Në rast se kthehesh në verën e viti ’92 do të gjesh të stipuluar në dekretin e 17 korrikut të atij viti absolutisht qëndrimin e sotëm mbi shtetësinë. Ky dekret thotë se shtetësia shqiptare do t’u njihet të gjithë qytetarëve me origjinë apo kombësi shqiptare, kudo që ndodhen. Ai stipulon se, pavarësisht nga shtetësia që duan të mbajnë, ata mund të mbajnë një, dy, tre apo mund të mos e marrin fare. Ky qëndrim ka qenë i vetmi standard ligjor për gjashtë vite me radhë, 1992-1998. Ky ka qenë standardi i Republikës së Shqipërisë. Çfarë ka të re në këtë qëndrim? Asgjë, përveç zhurmës mediatike. Përkundrazi, disa rrethana të reja, krejtësisht më të favorshme.

Ligji për shtetësinë ka sjellë gjithashtu reagime...

Dua të lexoj këtu mesazhin që më dërgoi me what’s up një studente shqiptare, Bleranda Neziri dhe ftoj çdo shqiptar t’i japë përgjigje asaj dhe ta vërë veten në vendin e një politikbërësi. Bleranda është një studente e vitit të dytë në Universitetin Houstonit dhe ajo ëndrrën e saj e ka të ndërthurur në bashkimin në zemër të shqiptarëve. Çfarë t’i themi Blerandës, se nuk do t’i japim pasaportë? Jo! Do t’i japim pasaportë e shtetësi shqiptare. Sikundër edhe çdo qytetari shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në Kanada e kudo që është, si detyrimi më minimal i këtij vendi. Shqipëria nuk është vetëm e jona. Ajo është edhe e atyre që kanë derdhur gjak, e atyre që kanë lënë eshtrat e të parëve, prindërve njerëzve të tyre për pavarësinë e saj. Ky problem është i parashikuar edhe në Preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë. Ata që janë hipokritë me Kushtetutën, janë hipokritë me veten e tyre. Dua t’u them edhe një gjë: hezitimet, ngurrimet nga disa grupe brenda vendit janë një atavizëm i dasive të ndryshme, të cilat ky komb i ka kapërcyer me vendosmërinë më të madhe. Për dekada e dekada, të huajt e jo vetëm ata janë përpjekur të përdorin dialektet e gjuhës sonë si mure ndarëse midis shqiptarëve. Por ato u faktuan si gurra që pasurojnë trungun e mrekullueshëm të kësaj gjuhe. Në kohërat më të vështira, vite e vite me radhë u përpoqën për të përdorur dasitë fetare për qëllime jo shqiptare. Dështuan në mënyrën më të turpshme. Sot, në këtë kontinent e më gjerë, ne jemi kombi që respektojmë më shumë liritë e besimin fetar të njëri-tjetrit. U përpoqën të vendosin klone me gjemba, por ja ku jemi e komunikojmë të lirë. Ideja se kjo masë do të prishë ekuilibra demografikë e krahinorë është ide e prapambetur sa vetë krahinarizmi. Ata, të cilët vërshuan nga e gjithë bota e nga të gjitha trojet etnike shqiptare për të festuar pavarësinë e Shqipërisë, dhanë mesazhin e qartë se kanë dalë mbi krahinarizmat. Atyre që kanë frikë nga vota, ju them se kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjeve, por, nga ana tjetër, nuk duhet të mendojë kush kurrë se problemi i votës do të jetë pengesë e qëndrueshme, pasi ka mënyra për ta zgjidhur, për ta proporcionuar e për ta bërë të pranueshëm për të gjithë. Në të gjithë këtë histori, e dhimbshme ishte vetëm një moment: të dëgjoja përfaqësuesin e Cipras-it të fliste njëlloj si Edi Rama, në Parlamentin Evropian. Por këto janë pjesë e pandashme e këtyre udhëtimeve. Ndaj mendoj se nuk ka asnjë lloj shqetësimi. Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktimet e saj të qarta. Ajo është Kushtetutë e standardeve ndërkombëtare dhe preambula e saj ka parasysh të gjitha traktatet e marrëveshjet ndërkombëtare që ekzistojnë.

Zoti Kryeministër ju keni fajësuar opozitën për humbjen e statusit, por një vend me peshë specifike në BE, si Gjermania, nëpërmjet ambasadores së saj në Shqipëri tha se edhe nëse do të votoheshin tre ligjet, Shqipëria nuk do ta kishte marrë sërish statusin. Si e komentoni këtë qëndrim?
Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e institucioneve. Institucionet vendimmarrëse të BE-së janë Komisioni Evropian, Këshilli Evropian, Parlamenti Evropian. Në ligjin e ri, Parlamenti ka marrë fuqi shumë më të mëdha se sa kishte më parë. Komisioni Evropian, nëpërmjet përfaqësuesit të tij më të rëndësishëm për zgjerimin që është komisioneri Fule, ka deklaruar se Shqipëria meriton statusin,  me kusht që të votojë tre ligjet. Ka kërkuar të votohen tre ligjet, në mënyrë që të bëhet rekomandimi pozitiv përfundimtar e t’i dërgohet Këshillit. Zoti Rama nuk i votoi ligjet. Ky raport shkoi në Këshill. Zoti Rama kishte shpresë të madhe se Këshilli do ta lidhte statusin me zgjedhjet, por është shumë i dobët në analizën politike. Me zgjedhjet u lidhën negociatat, jo statusi, sepse me negociatat, me hapjen dhe vazhdimin e tyre do lidhen shumë gjera. Çfarë është ky proces? Ai është kushtëzim dhe vetëm kushtëzim. Po të duash ti, e djeg. Askush nuk ta dikton me zor. Pasi dështoi në këto premtime që kishte marrë nga Cipras apo nga ndonjë tjetër, Këshilli e ktheu me të njëjtin rekomandim të Komisionit. Të njëjtin qëndrim identik votoi Parlamenti Evropian. Kam dëgjuar drejtues socialistë të thonë se Parlamenti nuk ka rëndësi. Kjo është një gënjeshtër. Parlamenti ka shumë rëndësi. Pra, të tre institucionet e vendimmarrjes së madhe të Bashkimit Europian kanë qëndrim identik: Votoni ligjet për të marrë statusin.

Zoti Kryeministër, si po e ndjeni veten pas shfaqjes në Facebook. Duket sikur zgjedhjet i keni fituar për një javë, me “like” që keni marrë në raport me kundërshtarin tuaj zotin Edi Rama.
Së pari do të shfrytëzoj rastin të përshëndes nga kjo konferencë shtypi  të gjithë miqtë e mi në Facebook, 195 mijë dhe ti siguroj se ndjehem shumë i detyruar, i inkurajuar dhe i frymëzuar nga qenia e një prej tyre, në këtë rrjet mahnitës social. Gjithmonë, lidhja është shumë e rëndësishme. Psikologët e kanë studiuar shumë lidhjen dhe kanë gjetur që ajo në tërësi është shumë më e vogël  nga sa e mendojmë dhe ndikon shumë. Pa Facebook lidhjet numërohen me gishtat e dorës. Imagjinoni se si shumëfishohen ato me Facebook-un. Gjë e jashtëzakonshme. Kështu që ndjehem shumë i inkurajuar. Përse e zgjodha? Nuk mund të bëja zgjidhje tjetër, sepse Twitter-i ka një gjë. Ai është i njëanshëm, jep direktivë. Por unë kam nevojë të marr direktivë më shumë, sesa të jap. Përveç kësaj, ju e dini se që kur filloi të bëjë Ciu-Ciu, nuk doli dy muaj rresht në televizion. Mua më keni çdo ditë. Televizionin e kam për politikë, Facebook-un e kam për komunikim. Kjo është e vërteta.

Zoti Kryeministër, tashmë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme është zoti Adriatik Llalla. Fillimisht a besoni se në drejtimin e tij ky institucion do të jetë i pavarur?
Së pari, unë kam besimin më të madh se institucioni i prokurorisë ka vajza dhe djem të ndershëm, të përkushtuar e të vendosur për të bërë ligjin. Sikundër ka pasur dhe ka tregtarë dosjesh, të cilët kanë kryer krimin e shëmtuar të rrënimit të hetimeve. Çdo shitje e dosjeve është rrënim hetimi. Për fat të keq, kjo rrjedhja është një fenomen i përbotshëm, se do të ishte e pandershme po mos t’ia njihja dimensionet, por intensiteti i rrjedhjes ishte rrënues për hetimin. Unë gjer më sot nuk kam parë njeri në prokurori të bëhet problem, për rrjedhjen e dosjeve. Kemi parë të gjithë dështimet në hetim, por nuk kemi parë një prokuror, më së fundmi pamë një gjykatës të merret në ndjekje penale, prapa të cilit absolutisht qëndrojnë dy drejtuesit e tij të KLD-së që duket se ndanin më të, trofetë e këtyre veprimeve. Ndryshe nuk kishte pse thirrej e t’i jepeshin instruksione e të tjera me radhë. Kam besim të plotë që Prokuroria do funksionojë bazuar në ligj dhe se zoti Llalla, i cili në institucionin e verifikimit të pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve, dha një kontribut të pamohueshëm. Mos harroni se janë shumë dosje të dërguara në prokurori prej tij dhe janë dosje për politikanë, jo për qytetarë të thjeshtë. Janë denoncime të bëra publikisht prej tij dhe prej zyrës së tij. Kështu që unë kam besim se ai do përdorë edhe në institucionin e Prokurorisë të Përgjithshme, ato kritere që përdori në institucionin që drejtoi. Sikundër kam një besim të madh dhe koha ka faktuar dhe do të faktoi se Presidenti Nishani do të mbështesë fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe se do ketë vetëm inkurajim. Kjo është e rëndësishme për prokurorin, sepse kur kërcënon prokurorin e Taks-forcës, se do të grabisësh 500 mijë metër katrorë tokë dhe jep dorëheqjen, është e vështirë të akuzosh prokurorinë. Ai ishte një fatkeqësi reale kombëtare, por u kapërcye. Jua kam thënë disa herë në takimet e mia: demokracia këtë ka, nuk ka gjëra permanente, mund të abuzosh, por del mënjanë. Kështu që unë kam besim dhe e siguroj se të gjitha agjencitë ekzekutive të zbatimit të ligjit do të bashkëpunojnë me vullnet të plotë, për suksesin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Luftë, në të cilën institucioni i prokurorisë ka një rol kryesor të pazëvendësueshëm në fushën penale, sepse në fushën e reformave sigurisht e ka qeveria.

Zonja Ina Rama ka përfunduar detyrën e saj. Fillimisht mendoni se ajo u largua nga detyra para se ti mbaronte mandati, lidhur me debatet kryesisht ligjore për këtë. Tashmë që ajo nuk është më në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, a ka ndonjë pendesë apo reflektim lidhur me akuzat  që ju i keni drejtuar asaj veçanërisht me 21 Janarin?
Mendoj se është larguar disa ditë me vonesë. Gjykata Kushtetuese ka përcaktime të qarta, të sakta, se cili është afati i mandatit. Mendoj se Gjykata e ka pasuruar në shumë e shumë drejtime jurisprudencën e këtij vendi.

Në zgjedhje me aleancën më të gjerë në histori
Kryeministri Berisha deklaroi se PD po përgatitet të hyjë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, me aleancë të gjerë. Teksa duke komentuar interesin e gazetarëve se kë sheh si kundërshtarin më të fortë tha se ai merret vetëm me votat. “Në zgjedhje me aleatët më të gjerë. Kundërshtari mënjanë unë merrem me votën”, deklaroi Berisha.

“Darka e gabuar”, iu bë avokati Enver Hoxhës
Kryeministri Berisha ka komentuar edhe një herë ditëlindjen e Preç Zogaj, atë që ai e quajti pak ditë me parë “Darka e gabuar”. “Ç’tu them unë juve. Në darkë se nuk është mirë të komentosh darkën e tjetrin, se atij ja grabitën jo për fajin tim. Ai ftoj miq dhe ja morën ditëlindjen. U harrova unë fare dhe u mor me Enver Hoxhën dhe duhet të faktonin tezat e Qoses se ai bëri shtet. Ishte një ambient neoliberalësh, ato panë avokatinë e flakët të Enver Hoxhës. Fakti i dytë është se Preçit ia grabitën ditëlindjen, por do bëjë të tjera, por mirë nuk është. Po shkove i ftuar nuk është mirë të vjedhësh filxhanin”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›