Tri lutjet e Krasniqit për Gjykatën e Hagës: Akuzat më dhembin më shumë sesa torturat mizore të regjimit serb

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ripërsëriti pafajësinë e tij para gjykatës së Hagës duke thënë se asnjëherë s’ka kryer apo të jetë përfshirë në vrasje apo burgosje. Akuzat e ngritura ndaj tij i quajti “absurde”
Në ditën e tretë të gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sot ishte radha e Krasniqiti të paraqiste deklaratën e tij ndërsa dje deklaratat hyrëse i paraqitën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimi.
“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura. Unë e urrej dhunën, vrasjen jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe ndaj meje personalisht, por sepse i konsideroj tepër të ulëta dhe çnjerëzore.
Unë Jakup Krasniqi nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje, në asnjë formë presioni ndaj kujtdoqoftë. Integriteti im intelektual e njerëzor më ka mësuar të kem të qartë cilat mjete duhen të përdoren për realizimin e çlirimit kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan dhe zbatuan genocide ndaj nesh,” tha Krasniqi.
Absurde e quajti edhe akuzën që ai mund të ketë persekutuar anëtarët e LDK-së ku vetë ka qenë i angazhuar.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar I saj, familjarët e mi ishin anëtarë të saj. Vetëm një mendje e çoroditur mund të ketë lindur ideja se unë mund të isha pjesë e persekutimit tim, familjarëve të mi dhe bashkëudhëtarëve të mi.”
Para trupit gjykues, tha se në vendbanimet shqiptare në Kosovë, regjimi serb kriminal i Millosheviçit, kreu gjenocid duke masakruar fëmijë, gra, pleq. Se veprimet që i ka bërë Serbia, e kanë shtyrë atë që të marrë vendim që të luftojë.
“Ishin vendime vendimtare, në ato momente thash, ‘liri a vdekje’ dhe kurrë më në politikat gjenocidale të Serbisë”, tha ai.
Pasi përshkroi torturat që ka përjetuar nga regjimi serb, shtoi se përmbajtja e aktakuzës së ZPS-së e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe.
“Në rrugëtimin tim një gjë që nuk ka logjikë është aktakuza nga ZPS. Përmbajtja e saj më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb e Jugosllavi. Preteksi i aktakuzës u gjet në librin e Carla del Pontes dhe në raportin e Dik Martit për gjoja trafik organesh nga ana e UÇK-së. Pas hetimeve të shumta disavjeçare nga Task forcë e EULEX dhe ku ishin përfshirë ekspert të BE-së, Kanadaja e SHBA nuk u gjet asnjë provë e vetme. .
Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale as para, as gjatë dhe as pas luftës. Nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale, as me veprim, as mos veprim as nxitje. Kam qenë dhe kam vepruar ndershmërisht për liri e bashkim kombëtar që ka qenë qëllimi im jetësor. Kam qenë dhe jam krenar për veprimtarinë time politike dhe jam ballëhapur para çdo njeriu dhe shumë i lumtur që edhe në rrethana tepër të rënda të ruaj integritetin tim njerëzor, dhe intelektual. Prandaj sinqerisht jam i qetë,” tha Jakup Krasniqi.
Tri lutjet e Krasniqit
Krasniqi e mbylli deklaratën e tij me tri lutje drejtuar trupit gjykues.
1- Mos lejoni të keqpërdoren mendime e opinionet individuale të pas luftës për kohën e luftës
2- Mos lejoni që shënimet e mia, përshkrimet e mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale.
3- Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht.”
Nga data 3 – 5 prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ishin seancat e paraqitjes së fjalës hapëse të prokurorisë dhe avokatëve si dhe deklarimet e ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të cilët gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen për veprat penale, përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas aktakuzës krime janë kryer në periudhën mars 1998 – shtator 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Më 3 prill Prokurori lexoi akuzat ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Jukupit, ku tha se ata kishin bashkëpunuar si “grup kriminal” dhe se ka prova që krimet kanë ndodhur si gjatë dhe pas luftës.
“Provat do të tregojnë se arsyet e kryerjes së këtyre krimeve janë bërë për pushtet, si në luftë ashtu edhe pas luftës. Por mund të jenë kryer këto krime edhe nga urrejtja e hakmarrja”, tha prokurori i Prokurorise Speciale, Alex Whiting.
Po më 3 prill, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se 140 viktimat ishin shqiptarë, serbë romë, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë.
Më 11 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë paraqitjen e provave kundër të pandehurve.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar.
/rtsh.al/