E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trialog” – Vangjeli: Shqipëria më pranë se kurrë Evropës. Në mungesë të BE, Ballkani mund të ndikohet nga fuqitë jo miqësore

Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë se vendi është më pranë se kurrë dyerve të Evropës.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, Vangjeli tha se Shqipëria ka humbur disa mundësi të rëndësishme gjatë dekadave të kaluara për integrimin në BE.

“Shqipëria është një vend klasik në Ballkan që po ta shikosh përgjatë gjithë historisë ka pasur fraktura në lidhje me kohën, gjithmonë të vonuar, kemi ngatërruar stacionin, kemi humbur trenin e radhës. Këtë herë duket se kemi ndryshuar, për arsye që nuk varen nga ne. Rrethanat janë më në favorin tonë dhe Shqipëria është sot më pranë dyerve të Evropës, por me problemet e trashëguara. Përpara zgjedhjeve të 1996 dhe krizës së 1997 kemi qenë në të njëjtin start me Bullgarinë dhe Rumaninë, por dy vendet u anëtarësuan. Kroacia ishte ende e përfshirë në luftërat me ish-Jugosllavinë, ndërsa Sllovenia kishte 2 apo 3 vite që kishte fituar pavarësinë dhe ne e humbëm atë tren. Në fillim të viteve 2000 Shqipëria po tentonte të ecte përpara shpesh me zigzage dhe me kriza artificialë të krijuara dhe ky ishte momenti kur Evropa ndryshoi, ngriti gardhet atëherë kur duhet të hapte dyert”, tha Vangjeli.

Lidhur me situatën e sotme gjeopolitike pas luftës në Ukrainë dhe kërcënimit rus në Ballkan, Vangjeli u shpreh se “kjo zgjoi Evropën egoiste”, pasi arriti të kuptonte se nuk mund të ketë “vakum” në rajon, pasi mungesa e BE i hap rrugë “fuqi jo miqësore” që mund të kërcënojnë stabilitetin e kontinentit të vjetër.

“Të këqijat nuk vijnë vetëm për të bërë dëm dhe një nga rreziqet më të mëdha gjeopolitike bëri që Evropa e djeshme egoiste të rizgjidhet dhe të mendojë të ulë gardhin dhe të kuptojë që nuk ka vakum. Atje ku nuk vjen ti, mund të vijë dikush tjetër dhe Ballkani mund të jetë edhe pjesë e një frymëmarrje të fuqive jo miqësore, që kërcënojnë kontinentin e vjetër ne thelbin e tij”, tha Vangjeli.   

Në përfundim, analisti theksoi se pavarësisht sfidave të shumta, Shqipëria ka një mundësi të artë për të kapërcyer pengesat dhe për të arritur integrimin evropian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›