E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: Për integrimin në BE, të gjitha palët duhet të sillen si qeveri

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian ka qenë e gjatë dhe e ndërlikuar, duke kaluar nëpër disa rrafshe. Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, analizoi sfidat dhe zhvillimet që kanë shoqëruar këtë proces.

Sipas tij, Shqipëria ka pritur më shumë sesa duhej për të avancuar në integrimin europian. Zogaj theksoi se faktori gjeopolitik ka luajtur rol vendimtar, sidomos pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka krijuar një koshiencë të re në Europë. Kjo ka ndihmuar Shqipërinë, por shtoi se njëkohësisht vendi ka kryer detyrat e tij, duke hapur në kohë rekord të gjithë kapitujt e negociatave.

“Rruga ka qenë më e gjatë sesa ka merituar Shqipëria. Shqipëria nuk kishte pse priste 2 dekada për të hyrë në BE pas Bullgarisë dhe Rumanisë. Por BE ashtu e ndërtoi politikën e zgjerimit dhe u bë më i ashpër me kërkesa shumë më të larta. nxori dhe mësime nga hyrja e përshpejtuar e Rumanisë dhe Bullgarisë. Faktori tjetër është gjeopolitik. Nuk mund ta dimë sesi do kishte qenë qasja e Europës nëse nuk do kishte ndodhur lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që ka krijuar një koshiencë tjetër. Kjo e ka ndihmuar Shqipërinë, por në një pikë Shqipëria ka bërë disa detyra. Kanë punuar grupe pune për hapjen e kapitujve. Në një kohë rekord, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt”, tha ai.

Zogaj vlerësoi kryeministrin Edi Rama për rolin në të gjithë këtë proces, teksa shtoi se të gjitha palët politike në vend duhet të sillen si qeveri, kur vjen puna te integrimi i vendit në BE.

“Tani mbetet pjesa tjetër sepse nga hapja e kapitujve, deri në anëtarësim, prap është nën monitorim Shqipëria. Në lidhje me rolin e kryeministrit, ai ka ditur të manovrojë, ka fituar një lloj protagonizmi që nuk e fitojnë kollaj drejtuesit e vendeve të vogla, ka arritur të sjellë në Shqipëri disa samite. Në lidhje me integrimin, të gjitha palët duhet të sillen si qeveri. Ja kam sugjeruar gjithmonë këtë edhe opozitës. Për çdo çështje mund të përplasen, por për çështjen e integrimit, edhe nëse ke rezerva, thuaji këtu mos i ço atje. Kur shkon atje, sillu sikur je Ministër i Jashtëm. Sepse fiton vendi”, u shpreh Zogaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›