Triumfuesit e Berlinales

Filmi italian “Caesar Must Die” nën regji të vëllezërve Paolo e Vittorio Taviani, “është shpallur si filmi më i mirë i edicionit të 62-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
"Ariu i Artë" shkon tek italianët! E papritura ishte e madhe, kur Mike Leigh, presidenti i jurisë ndërkombëtare shpalli fituesin e çmimit kryesor të Berlinales. Dhe dy mjeshtrat e vjetër të kinemasë europiane brohoritën nga salla: vëllezërit Taviani 80 dhe 82 vjeç.
Filmi që tenton të tregojë universalitetin e gjuhës së Shakespeare, nëpërmjet vendosjes së aktorëve në pozicione që u duhet të kërkojnë rolin e tyre e që realisht është i pamundur, ka marrë trofeun më të vlerësuar të festivalit, “Golden Bear”.
Çmimin e dytë më të rëndësishëm të festivalit, “Silver Bear” që njihet si çmimi i madh i jurisë ka shkuar per filmin“Just The Wind”, një bashkëprodhim mes Hungarisë dhe Gjermanisë. “Ariun e Argjendtë” për regjisorin më të mirë e ka marrë Christian Petzold për filmin “Barbara”. Të njëjtin çmim për aktoren më të mirë e ka rrëmbyer Rachel Mwanza për rolin e saj në filmin “Rebelle” nën regji të Kim Nguyen, ndërsa kolegu i saj Mikkel Boe Folsgaard është nderuar si aktori më i mirë për rolin e tij në filmin nën regji të Nikolaj Arcelit “A Royal Affair”. I njëjti film është vlerësuar nga juria edhe me çmimin “Silver Bear” për skenarin më të mirë. Çmimin e kanë marrë skenaristët Nikolaj Arcel e Rasmus Heisterberg.
Në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 62-të të Berlinales është ndarë edhe çmimi “Alfred Bauer Prize” që jepet në nderim të themeluesit të festivalit për filmat më inovativ që këtë vit i ka takuar filmit “Tabu” nën regji të Miguel Gomes, ndërsa çmimi special “Silver Bear” i ka takuar filmi francez “Sister” nën regji të Ursula Meierit.
Filmi më i mirë i shkurtër i këtij edicioni të Berlinales është shpallur ai me regji të Joao Salaviza “Rafa” që flet për një adoleshent që po e kalon një fazë të zorshme të jetës së tij. Në vlerësimin e jurisë thuhet se filmi ofron një pamje magjepsëse të një periudhe që portretizon një djalosh në prag të burrërisë.
Juria e kategorisë së filmave të shkurtër ka ndarë çmimin special “Silver Bear” filmit “The Great Rabbit” nën regji të Atsushi Wadas, teksa me mirënjohje speciale e ka nderuar regjisoren Guile Martins për filmin e saj “Licuri Surf”. E njëjta juri ka vendosur që filmi “Two ships” nën regji të Justine Trietit të nominohet për “European Film Awards 2012”.