E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Trofeu “26 Marsi” dhe fituesit e tij

Trofeu “26 Marsi”, që përkon me Ditën e Demokracisë në Kavajë, tashmë është aktivitet i përvitshëm për Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Kështu ka ndodhur dhe këtë vit, ndërsa skuadrat pjesëmarrëse janë pritur nën ritmet e Bandës Frymore të Kavajës. Të gjithë të pranishmit janë përshëndetur nga nënkryetarja e Bashkisë së Kavajës, Valbona Mustafa, si dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, dhe ai i Kosovës, Avni Nuha. E më pas deri në dalje të Kavajës është bërë një garë demonstrative pas së cilës ka ardhur starti zyrtar. Për Kadetët është pedaluar në itinerarin Bashkia Kavajë – Kthesa e Spillesë – Luzi i Vogël – Zhabjak – Rrethrrotullimi i Gosës së Madhe – Luz i Madh – Luz iVogël – Bashkia Kavajë e gjatë 45.9 km. Kurse për të rinjtë, elitë dhe U-23 në të njëjtin itinerar, por duke shtuar dhe katër xhiro, ndërsa gjatësia e garës ishte 110.9 kilometra. Hera-herës ka shpërthime të vogla, ndonëse në pjesën më të madhe është pedaluar në grup. Goditja e fundit ka ardhur pranë finishit, ndërsa për kadetë ka triumfuar Jonid Gjoka i Partizanit, kurse për elitë dhe U-23 ishte Lukas Sulaj Klottenburg i Tiranës dhe për të rinj Henri Hysa i Teutës. Ndërkohë për femra ishte Marsela Luzi i Teutës. Menjëherë pas garës, për Radio Televizionin Shqiptar, Jonid Gjoka dhe Lukas Sulaj Klottenburg kanë treguar emocionet e tyre.

“Nuk ishte shumë e vështirë. Ishte mesatare tek rreth 30 kilometra besoj, apo jo? Për mua është hera e parë, sepse jam fillestar dhe kam një muaj që bëj stërvitje, Dhe kjo është gara e tretë që bëj”, ka deklaruar Jonid Gjoka.

“Ishte shumë e vështirë sot, sepse kishte më shumë rivalë. Madje edhe çiklistë më të mirë, teksa kishin ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Më ndihmuan shokët e skuadrës dhe ne funksionuam si grup. Pra u treguam një skuadër e mirë, ndaj dhe fitova”, tha Lucas Sulaj Klottenburg.

Ndërkohë Gjoka është vetëm tre muaj çiklist. Një çiklist që edhe gjatë garës gjen mundësinë të këndojë jo vetëm si motivim për veten, por dhe për të tjerët. E biçikleta për të është adrenalinë

“Shumë bukur. Është me të vërtetë sport i bukur. Një sport me shumë adrenalinë. Sigurisht i vështirë, por do shumë përkushtim dhe shumë kohë për të arritur rezultatet”, nënvizon Jonid Gjoka.

Lucas Sulaj Klottenburg tregon se do të vazhdojë përgatitjet në Danimarkë për të qenë më pas në Turin e Shqipërisë më 22-26 maj.

“Do të bëj gjashtë gara në prill në Danimarkë, kuptohet me elitën, dhe më pas do të jem gati për Turin e Shqipërisë”, tha çiklisti i Tiranës.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, në përfundim të garës ka vlerësuar cilësinë e aktivitetit, sikurse kishte parashikur dhe dy javë më parë në Elbasan.

“Ai që fitoi është një çiklist, i cili garon në Danimarkë. Ka vlera si sportist, por ishin dhe çiklistë të tjerë, të cilët ishin në rresht pas tij. Më bëhet qejfi që shikoj dhe ekipin e Kosovës, i cili ka një ringritje. Për më tepër përafërsisht edhe maqedonasit. Por ne sytë i kemi tek grupi i të rinjve, sepse duhet të kemi vazhdimësi dhe ekipet zinxhir, ashtu sikurse kemi Elitën dhe U-23″, deklaroi Anxhaku.

Madje një garë e tillë ishte e vlefshme dhe për presidentin e Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha.

“Unë si Federatë e Çiklizmit të Kosovës, së bashku me presidentin Anxhaku, duhet të punojmë më shumë. Të gjejmë çiklistë dhe të punojmë e të masivizohet sa më shumë ky sport. Unë e uroj qytetin e Kavajës dhe Federatën Shqiptare të Çiklizmit, që kanë bërë një organizim të jashtëzakonshëm. Për më tepër një siguri e jashtëzakonshme, që erdhi nga Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë në mbarëvajtjen e aktivitetit”, shpjegoi Avni Nuha.   

Ndërkohë si Anxhaku, ashtu dhe Nuha kanë premtuar se bashkëpunimi mes dy Federatave do të vazhdojë të jetë i fortë me aktivitete të përbashkëta.

“Mendoj se do të vazhdojë jashtëzakonisht mirë sikurse ka rifilluar që nga muaji janar. Dhe këta në Maqedoninë e Veriut nisin një aktivitet ku besoj se do të marrë pjesë ekipi ynë kombëtar, ndërsa ne përgatitemi për Turin e Shqipërisë, që nis më 22 maj. Mendojmë se cilësia do të rritet nga momenti në moment, sepse erdhi koha e ngrohtë, teksa sportistët mund të ecin dhe në rrugë. Kështu që bashkëpunimi do të jetë i përbashkët”, tha Anxhaku.

“Ne kemi bërë një marrëveshje-memorandumi të përbashkët ku të gjitha aktivitetet që do të jenë brenda Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë të përbashkëta dhe ne i mirëpresim si gjithmonë vëllezërit tonë nga Shqipëria. Sikurse ndodh kur ne jemi këtu të mirëserardhur dhe jemi të kënaqur me mikpritjen e Federatës Shqiptare të Çiklizmit”, përfundon Nuhu,

Kështu çiklizmi shqiptar ul siparin e aktivitetit të 26 marsit në Kavajë për të menduar të tjera veprimtari në të gjitha kategoritë e dyrrotakëve shqiptarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›