"Trojanet" nuk shkon në Turqi
Anulohet Festivali i Dramës Antike në Turqi. Shqipëria do të përfaqësohej me "Trojanet" e Euripidit.
Nëse gjithçka do të kishte shkuar mirë, sot në mbrëmje, trupa e Teatrit Kombëtar do të luante në Turqi tragjedinë "Trojanet" të Euripidit, në festivalin "Aspects of Ancient Drama". I menduar të realizohej në periudhën 15 korrik-15 gusht 2009, festivali ka njoftuar pezullimin e tij deri në një kohë të papërcaktuar. Arsyeja e kësaj shtyrjeje është mungesa në festival e pothuajse 2/3-ve të trupa pjesëmarrëse.
Nga 12 trupa teatrosh kombëtare të vendeve të Evropës Juglindore, vetëm pesë prej tyre kanë konfirmuar prezencën në festival: Qiproja, Greqia, Shqipëria, Serbia dhe vetë trupa e Turqisë. Organizatorët e këtij viti "Turkish State Theatres" dhe "The National Theatre of Northern Greece", nuk i kanë mbuluar shpenzimet e trupave pjesëmarrëse në festival, duke aplikuar një formulë tjetër.
Të gjitha kompanitë teatrore duhej të siguronin vetë çdo shpenzim. Këtij kushti i janë përgjigjur vetëm pesë teatro, nga 12, kështu që organizatorët kanë preferuar të zhvendosin festivalin në një kohë tjetër. Ndërkohë, vendeve që kanë siguruar mbështetjen financiare për të marrë pjesë në edicionin e dytë, organizatorët u kanë ofruar që të shfaqin pjesët në Ankara, por jo nën siglën e festivalit.
Drejtoria e TK-së ende nuk ka marrë një vendim nëse do të shfrytëzojë këtë mundësi për të çuar teatrin shqip në Turqi apo do të presë vendimin për datën zyrtare të festivalit. Ndërkohë, "Trojanet" ka përfunduar ciklin e shfaqjeve në skenën e TK-së dhe ka mbyllur regjistrimin për TVSH-në.