E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i kërkuari për vrasjen pranë Doganës

Bashkim Qefalia, akuzohet si autor i vrasjes së Artan Allushit, pas konfliktit për femra

TIRANË- Arrestohet tri ditë pas vrasjes Bashkim Qefalia i dyshuar dhe i kërkuar si autor i vrasjes së Artan Allushit dhe plagosjes së dy të afërmeve të tij, të dielën pranë Drejtorisë së Doganave në kryeqytet.


Bashkim Qefalia, 38 vjeç, nga Babrruja është arrestuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në një fshat në periferi të Tiranës, ku strehohej prej tre ditësh për t'i shpëtuar arrestimit të uniformave blu.


Lajmi për arrestimin e autorit të dyshuar të krimit të rëndë, të ndodhur katër ditë më parë, është konfirmuar zyrtarisht nga burime të Policisë së kryeqytetit, ku thuhet se arrestimi i 38- vjeçarit ka ardhur pas disa kontrolleve të shumta tek të afërmit e tij si dhe pas informacioneve të marra për vendndodhjen e të kërkuarit.


Siç edhe dyshohej para se Qefalia të prangosej, gjatë tre ditëve të qëndrimit në arrati, mësohet se ka qenë i plagosur në kokë, nga përleshja e të dielës mes tij dhe tre personave nga fisi Allushi. Pasi ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, Bashkim Qefalia është marrë në pyetje nga oficerë të hetimit të krimit, ku e ka pranuar autorësinë e ngjarjes së të dielës, ku mbeti i vrarë Artan Allushi dhe u plagosën dy të afërm të viktimës.


Qefalia ka rrëfyer para hetuesve të gjithë skemën e ngjarjes që u mbyll me një të vdekur dhe dy të plagosur nga i njëjti fis. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në Policinë e kryeqytetit kanë zhvilluar negociata të vazhdueshme me familjarët e Qefalisë me qëllim bindjen e këtij të fundit për t'u dorëzuar vetë në polici.


Për gati tre ditë, e gjithë zona ku mendohej se strehohej 38 vjeçari nga Paskuqani, është mbajtur e rrethuar nga forca të shumta policie, për të mos lejuar largimin e të kërkuarit. Të afërmit e Artan Allushit, nëpërmjet një rrëfimi një ditë pas ngjarjes, u shprehën për gazetën "Shekulli", se drejtësia duhet të japë dënimin e merituar personit që dyshohet se qëlloi me armë në drejtim të Allushëve.


Mbi Bashkim Qefalinë rëndojnë dy akuza, ku më e rënda është ajo e "vrasjes në rrethana cilësuese", ndërsa akuza tjetër e ngritur ndaj tij është për "armëmbajtje pa leje".


Artan Allushi, 26 vjeç, u qëllua për vdekje pas një konflikti të ndodhur më 26 korrik rreth orës 12 e 15 minuta me Bashkim Qefalinë si dhe u plagosën dy të tjerë të afërm të tij, Kujtim Allushi, 50 vjeç dhe Nertil Allushi, 22 vjeç, banues në Zall- Herr, të cilët ishin përfshirë në sherrin me autorin e dyshuar të ngjarjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.


Para se të ndodhte vrasja, autori dhe bashkëpunëtorët e tij, ishin konfliktuar me viktimën dhe dy të plagosurit, të cilët ishin qëlluar mes tyre me sende të forta, ku në grindje e sipër Bashkim Qefalia që dyshohet nga Policia si personi që ka kryer krimin ka njerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të palës kundërshtare.


Nga të shtënat mbetën të plagosur të tre personat nga fisi Allushi, ku Artani, i cili kishte marrë plagën më ët rëndë, ndërroi jetë gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›