Tronditet sporti i notit shuhet Dale Oen
Tronditet sporti i notit, pas ndarjes së papritur nga jeta të Aleksander Dale Oen. Norvegjezi, i cili cilësohej si një prej notarëve më të fortë në stilin bretkosë humbi jetën për shkaqe ende të panjohura. 26-vjeçari Dale Oen ndodhej në “Flagstaff” në Arizona i grumbulluar me përfaqësuesen për t’u stërvitur për “Londër 2012”.
Ai sapo e kishte marrë veten nga një dëmtim në shpatull dhe kishte shpresa të mëdha për medalje në Lojërat Olimpike të verës. Pak përpara se të ndahej nga jeta, djaloshi kishte folur në “Skype” me familjarët në Norvegji dhe pa dhënë asnjë shenjë se nuk ndihej mirë.
Notari u gjet pa ndjenja në dush dhe u transportua me urgjencë në spital, ndërsa pak çaste më pas u deklarua i vdekur. Gjatë kësaj periudhe sportisti po përdorte kortiko-steroidë për t’u rikuperuar sa më shpejt dhe të kthehej në nivele të larta.
Ata që dhanë të parët alarmin ishin shokët e skuadrës, që të shqetësuar se Dale Oen nuk po kthehej e kërkuan dhe e gjetën në dushe pa ndjenja. Notarët norvegjezë të parët dhe më pas mjekët, tentuan ta kthenin në jetë, por të gjitha tentativat rezultuan të kota. Tashmë për të kuptuar shkakun e vdekjes është e nevojshme autopsia.
Aleksander Dale Oen synonte medalje në “Londër 2012”. Ai kishte fituar medaljen e argjendtë në garën e 100 metrave/bretkosë në Pekin 2008, ndërsa në vitin 2011 u shpall kampion bote po në këtë stil në kampionatin e zhvilluar në Shangai. Mes të tjerave, 26-vjeçari kishte fituar edhe dy medalje ari dhe katër argjendi në Kampionatet Europiane, përveç titujve të shumtë në pishina të shkurtra.