E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump: India dhe Pakistani bien dakord për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm

Pas disa ditësh përleshjesh ushtarake në zonën e tensionuar të Kashmirit, India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm. Lajmi është konfirmuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe zëvendëskryeministri i Pakistanit, Ishaq Dar.

Në një postim në platformën Truth Social, Presidenti Trump deklaroi se kjo u arrit pas ndërmjetësimit të SHBA në bisedimet me të dyja palët.

“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, jam i kënaqur të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm. Urime të dy vendeve për përdorimin e Logjikës së Shëndoshë dhe Inteligjencës së Madhe”, shkruan Trump.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri pakistanez Ishaq Dar theksoi përkushtimin e vendit të tij ndaj paqes në rajon, duke deklaruar se “Pakistani gjithmonë është përpjekur për paqe dhe siguri në rajon, pa bërë kompromis me sovranitetin dhe integritetin e tij territorial.”

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përgëzoi liderët e të dy vendeve që zgjodhën rrugën e paqes.

“India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe për të filluar bisedimet mbi një sërë çështjesh në një vend neutral. Ne i përgëzojmë kryeministrat Modi dhe Sharif për maturinë dhe aftësitë e tyre si burrë shteti në zgjedhjen e rrugës së paqes”, shkruan Rubio.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›