Trump: Nuk më bindi Izraeli t’i shpall luftë Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se nuk e bindi Izraeli të sulmonte Iranin, duke mohuar kështu që udhëheqësi izraelit Benjamin Netanyahu ndikoi në vendimin e tij.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump u shpreh se përfshirja e Uashingtonit në konflikt bazohej në sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe në “mendimin e tij të përjetshëm” se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore.
“Izraeli kurrë nuk më bindi të shkoj në luftë me Iranin, rezultatet e 7 tetorit përforcuan bindjen time, të cilën e kam mbajtur gjithmonë, se Irani NUK DUHET TË PAJISË KURRË NJË ARMË BËRTHAMORE. I shikoj dhe i lexoj sondazhet e ‘ekspertëve’ dhe lajmeve të rreme me mosbesim të plotë. 90% e asaj që thonë janë gënjeshtra dhe histori të sajuara, ndërsa sondazhet janë të manipuluara, njësoj siç u manipuluan zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ashtu si rezultatet në Venezuelë, për të cilat media nuk dëshiron të flasë, rezultatet në Iran do të jenë të mahnitshme dhe nëse udhëheqësit e rinj të Iranit janë të zgjuar, Irani mund të ketë një të ardhme të ndritur me prosperitet! ”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
/rtsh.al/