Trump: Rrjedhat e naftës në Ngushticën e Hormuzit janë kthyer në nivelet e para luftës

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndarë një grafik në platformën e tij Truth Social, duke sugjeruar se vëllimi i naftës që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit është pothuajse rikthyer në nivelet e para luftës.
Sipas Trump, para luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, nëpër ngushticë kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa aktualisht po kalojnë rreth 18 milionë fuçi në ditë. Ai nuk ka cituar asnjë burim për këto shifra.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), para konfliktit nëpër këtë kalim tranzitonin rreth 20 milionë fuçi në ditë.
Në kulmin e krizës, rrjedhat ranë në 5-6 milionë fuçi në ditë.Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, i tha të hënën televizionit CNBC se eksportet e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit kishin arritur një rekord të kohës së luftës, mbi 17 milionë fuçi në ditë.
Ushtria e SHBA-së deklaroi javën e kaluar se kishte “përfunduar” përpjekjet për pastrimin e minave në ngushticë.
Megjithatë, Irani vazhdon të paralajmërojë anijet që mos të lundrojnë në këtë zonë pa autorizimin e duhur.
/rtsh.al/