E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump dërgon emisarin tek Putini, marrëveshja e paqes ka pësuar disa ndryshime

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se ka dërguar të dërguarin e tij, Steve Witkoff, në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të mbyllur një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se kanë mbetur “vetëm disa pika mosmarrëveshjeje”, ndërsa shprehu shpresën për t’u takuar së shpejti me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, “por VETËM kur marrëveshja të jetë përfundimtare ose në fazën e fundit.”

Plani fillestar amerikan, i kritikuar si shumë i favorshëm për Rusinë, është zëvendësuar me një version më të pranueshëm për Kievin.

Një zyrtar i njohur me tekstin e ri tha për AFP se është “ndjeshëm më i mirë”, megjithëse çështje “delikate” mbeten ende.

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh skeptik, duke thënë se “nuk ka vullnet rus” për armëpushim apo për diskutimin e propozimit të ri.

Ndërkohë, bisedime intensive janë zhvilluar në Gjenevë mes përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas, ndërsa raundi i fundit i takimeve mes delegacioneve amerikane e ruse po mbahet në Abu Dhabi.

Shtëpia e Bardhë raportoi për “përparim të madh”, por paralajmëroi se disa detaje mbeten për t’u zgjidhur. Megjithatë, lufta vazhdon: raketa dhe dronë rusë goditën Kievin gjatë natës, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe zjarre në ndërtesa, ku u raportuan të paktën shtatë viktima.

Trump, i cili shpesh ka deklaruar se mund ta mbyllte luftën brenda 24 orëve, kërkoi që propozimi i tij të miratohej nga Ukraina deri të enjten, në Ditën e Falënderimeve.

Plani i ri, sipas burimeve, përfshin rritjen e kufirit të forcave të ardhshme të ushtrisë ukrainase nga 600 mijë në 800 mijë trupa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›