E Diel, 1 Nëntor 2026

Automjeti i përdorur nga Papa Françesku shndërrohet në klinikë mobile për fëmijët e Gazës

Një automjet i përdorur nga i ndjeri Papa Françesku gjatë një vizite në Betlehem më shumë se një dekadë më parë është transformuar në një klinikë shëndetësore mobile që udhëheqësit e krishterë shpresojnë se së shpejti do të përdoret për të ofruar kujdes për fëmijët palestinezë në Gaza.

Iniciativa u bekua nga Françesku para se të vdiste në prill dhe iu besua organizatës katolike Caritas, e cila mbikëqyri projektin për të shndërruar automjetin e zbuluar të martën.

Françesku e kishte përdorur automjetin, një kamionçinë Mitsubishi të konvertuar që u dhurua nga Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë vizitës së tij në Betlehem në vitin 2014.

Sekretari i Përgjithshëm i Caritas, Alistair Dutton, e cilësoi nismën si një kontribut të rëndësishëm për kujdesin shëndetësor të fëmijëve, ndërsa Kardinali Anders Arborelius tha se automjeti është një dëshmi se bota nuk i ka harruar fëmijët e Gazës. Klinika e lëvizshme pritet të trajtojë rreth 200 fëmijë në ditë, megjithëse hyrja e saj në Gaza mbetet e paqartë për shkak të situatës së pasigurt.

UNICEF raportoi se të paktën 67 fëmijë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa Papa Françesku e kishte quajtur gjendjen humanitare në Gaza “të turpshme” dhe shpesh komunikonte me komunitetin e krishterë të atjeshëm gjatë luftës.

Ati Ibrahim Faltas shprehu shpresën që klinika të arrijë në Gaza “në të ardhmen e afërt”, duke e konsideruar atë si një trashëgimi të dashurisë së Papës për popullin e Tokës së Shenjtë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›