Trump kërcënon kryeministrin kanadez pas shpalljes së tarifave doganore hakmarrëse ndaj SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me ironi ndaj vendimit të Kanadasë për të vendosur tarifa doganore hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi kjo e fundit vendosi të tilla në masën 25% ndaj mallrave kanadezë
Përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se masat e marra nga kryeministri kanadez Justin Trudeau do të kenë një kundërpërgjigje të menjëhershme nga SHBA.
“Ju lutemi, shpjegojani ‘Guvernatorit’ Trudeau se kur ai vendos një tarifë hakmarrëse ndaj SHBA-së, tarifa jonë reciproke do të rritet menjëherë me të njëjtën shumë!”, shkroi Trump.
Përdorimi i termit “Guvernator” për Trudeau nuk është i rastësishëm, pasi Trump ka përsëritur disa herë se do të dëshironte që Kanadaja të bëhej shteti i 51-të i Amerikës, një ide që kryeministri kanadez e ka refuzuar në mënyrë të prerë gjatë konferencave të tij për shtyp.