E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Shtëpia e Bardhë pezullon ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën

UASHINGTON, 4 mars /ATSH-DPA/ – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump  pezulloi përkohësisht ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

”Trump e kishte bërë të qartë qartë se fokusi i tij ishte te paqja”, tha Shtëpia e Bardhë për DPA-në.

Lëvizja vjen vetëm disa ditë pasi Trump u përplas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale.

”New York Times” raportoi se mbështetja do të rifillonte pasi Trump të kishte vendosur që Ukraina ishte e përkushtuar ndaj negociatave të paqes me Rusinë.

”Pezullimi hyn në fuqi menjëherë, duke ndikuar në më shumë se një miliard dollarë armë dhe municione të porositura tashmë ose në proces të dorëzimit”, sipas raportit.

”Washington Post” raportoi se vendimi u mor gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë të hënën, ku Trump diskutoi këtë çështje me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.

Edhe gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump kishte vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e ndihmës së SHBA për Ukrainën.

Pas një shkëmbimi të tensionuar me Zelensky në Zyrën Ovale të premten, ai kërcënoi hapur se do të tërheqë të gjithë mbështetjen e SHBA.

Dje, Trump paralajmëroi se durimi i Uashingtonit me Kievin mund të mbarojë.

Vërejtjet e tij erdhën si përgjigje ndaj komenteve të Zelensky në Londër, ku udhëheqësi ukrainas u tha gazetarëve se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës ishte “shumë, shumë larg”.

“Kjo është deklarata më e keqe që mund të ishte bërë nga Zelenskyy dhe Amerika nuk do ta durojë atë për shumë kohë! … ky djalë nuk dëshiron të ketë paqe për sa kohë që ai ka mbështetjen e Amerikës”, tha Trump./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›